Foto ilustruese

Lufta ndaj Covid-19, Greqia zgjat shtetrrethimin

24 Nëntor 2020, 14:49| Përditesimi: 24 Nëntor 2020, 15:03

  • Share

Qeveria greke ka vendosur të zgjasë izolimin kombëtar përtej fundit të nëntorit si pasojë e numrit të lartë të rasteve të reja me COVID-19  dhe tejmbushjes së spitaleve.

“Bazuar në shifrat e fundit të pandemisë, presionit në sistemin shëndetësor dhe në përhapjen e sëmundjes, është e qartë se masat parandaluese nuk mund të hiqen në fund të këtij muaji”, njoftoi Vassilis Kikilias, ministri grek i Shëndetësisë.

Greqia, e cila ka një popullsi prej 11 milionë banorësh, tani ka më shumë se 92,000 raste të konfirmuara me COVID-19 dhe 1,714 viktima. Shtetrrethimi i dytë në Greqi u urdhërua në fillim të muajit dhe  tha se do të zgjaste deri më 30 nëntor.

Shtretërit në pavionin e kujdesit intensiv janë në fundin e kapaciteteve të lira. Të hënën, ushtria ndërtoi një spital në terren në qytetin verior të Selanikut për të mbajtur nën kontroll kapacitetet e spitaleve përballë numrit të lartë të të infektuarve. Spitali është parashikuar të ketë 50 shtretër normalë për pacientët e COVID-19 dhe dy shtretër të kujdesit intensiv. Selaniku ka qenë qyteti më i prekur në Greqi nga pandemia dhe zyrtarët mjekësorë të premten autorizuan dy klinika private për të trajtuar pacientët me COVID-19.

Përsa i përket hapjes së shkollave, vetëm komisioni i specialistëve të epidemiologjisë do të vendosë nëse dhe kur do kthehen nxënësit në shkollë, megjithatë mendohet se data më e hershme mund të jetë 7 dhjetori.

Periudha festive në Greqi do të jetë ndryshe, pasi nuk do të lejohet qarkullimi nëpër qytete, do të ketë orar më të zgjatur ndalim qarkullimi. Po ashtu, për Krishtlindje nuk do të hapen baret dhe restorantet, ndërsa ka shpresë të funksionojnë restorantet për pak orë në mbrëmje, gjatë festave. Ndërkohë që do të vazhdojë edhe mbështetja e punëtorëve dhe biznesit, me 7.5 miliardë euro në buxhet për përballimin e kësaj situate. 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?