Të shqetësuar nga situata epidemiologjike në Francë dhe rikthimi i shtetrrethimit të pjesshëm në një pjesë të qyteteve franceze, kryeministri italian po mundohet më të gjitha mënyrat për të shmangur një izolim të dytë, i cili do të kishte pasoja të rënda për vendin.
Rikthimi i shtetrrethimit pas orës 22;00 në vend dhe rifillimi i mësimit në distancë në shkollat e mesme, janë dy temat qendrore në lidhje me të cilat qeveria italiane synon të arrijë një marrëveshje me guvernatorët.
Me anë të një postimi në Twitter kryeministri italian Giuseppe Conte u bëri thirrje italianëve: "Të respektojmë dispozitat e reja, të ndjekim rekomandimet sepse kështu i shërbejmë vendit tonë ". Fjalët e Conte tregojnë shqetësimin e tij për përhapjen e infeksioneve dhe për pamjaftueshmërinë e masave të marra për të shmangur më të keqen, e cila për Conte është një tjetër bllokim kombëtar.
Conte në mbledhjet e Këshillit Evropian përsëriti: "Mbyllja e gjithçkaje do të ishte shumë e dëmshme, në një kohë që ekonomia po tregonte shenjat e para të rimëkëmbjes". Conte është kundër një masa të tillë dhe thekson se duhet të presim dy ose tre javë për të kuptuar efektet e masave aktuale, nga përdorimi i maskave në ambjente të jashtme apo kufizimi i numrit të vizitorëve në 6 persona në shtëpi.
Kryeministri ishte megjithatë ishte dakord në marrjen e masave të tjera kufizuese, sipas linjave të miratuara në Francë. Nga tani deri nesër, kur mblidhet Këshilli i Ministrave, një dispozitë e re mund të kërkojë që duke nisur nga ora 21-22 bare, restorante dhe institucione të tjera publike të mbyllin dyert, me kontrolle të përforcuara dhe gjobitje për ata që nuk i respektojnë rregullat.
Një tjetër masë që mund të merret, nëse të gjitha palët bien dakord është për vazhdimin e mësimit online për shkollat e mesme, gjë për të cilën ka pasur kundërshti të mëdha.
Sipas dekretit të fundit, guvernatorët e rajoneve nuk mund të lirojnë masat, por ato mund t'i forcojnë ato. Ndërkoë që qeveria rekomandon që të vazhdohet me mbyllje të përqendruara vetëm në zonat e kuqe. Sapo Conte të kthehet nga Brukseli ai do të shohë krerët e delegacioneve të partisë dhe do të vendosë mbi masat e reja kufizuese. Palestrat, sallonet e bukurisë, kinematë, teatrot dhe sportet themelore janë aktivitetet të cilat rrezikohen më së shumti.