James Cleverly

Lufta ndaj emigrantëve, Sekretari i Brendshëm britanik mbërrin në Ruanda, do nënshkruajë traktatin e ri të azilit

5 Dhjetor 2023, 14:35| Përditesimi: 5 Dhjetor 2023, 14:36

  • Share

Sekretari britanik i punëve të brendshme, James Cleverly, mbërriti këtë të martë në Ruandë për të nënshkruar një marrëveshje të re për dërgimin e azilkërkuesve në vendin afrikan, pasi gjykata e lartë e Mbretërisë së Bashkuar e shpalli të paligjshme skemën e mëparshme të dëbimit.

Plani i Ruandës qëndron në qendër të strategjisë së qeverisë britanike për të reduktuar emigracionin dhe po shihet nga afër nga vende të tjera që po konsiderojnë politika të ngjashme.

Megjithëse Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar vlerësoi se një veprim i tillë do të shkelte ligjet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, qeveria u zotua të mos bëjë asnjë hap pas, raporton CNN..

Rishi Sunak tha se do të krijojë dispozitat ligjore që marrëveshja e rinegociuar të jetë në përputhje me legjislacionin britanik, ndërsa paralajmëroi gjykatën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut në Strasburg të mos ndërhyjë në punët e brendshme.

Sipas planit, Britania synon të dërgojë mijëra azilkërkues që kanë mbërritur në brigjet britanike përmes La Manshit dhe në këmbim Ruanda ka marrë një pagesë fillestare prej 140 milionë paundësh. Ndërkohë një ditë më parë, qeveria njoftoi një sërë masash më të rrepta edhe për emigrantët e ligjshëm.

“Qeveria do të rrisë pragun e fitimit për punëtorët nga jashtë me gati 50% nga niveli i saj aktual prej 26,200 £ në 38,700 £, duke inkurajuar bizneset që të shikojnë së pari punonjësit britanik dhe të investojnë në fuqinë e tyre punëtore"

Më lëvizjet e fundit qeveria britanike synon të reduktojë numrin e emigrantëve që mbërrijnë në vend me 300 mijë. Emigrimi arriti vitin e kaluar rekordin prej 745 mijë një pjesë e të cilëve edhe shqiptarë.

Bizneset dhe sindikatat kanë kundërshtuar vendimet e qeverisë të cilat sipas tyre do të godisnin sektorin privat dhe shërbimin shëndetësor qe prej vitesh po vuajnë nga mungesa e punëtorëve.

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?