Momente nga konflikte shkatërruese, kriza e klimës, emigracioni, fotografi emocionale të pacientëve me kancer apo dhe shumë situata të tjera me të cilat po përballet bota, do të mund të përjetohen në ekspozitën World Press Photo 2024 të hapur në Sheshin “Skënderbej”, pranë bashkisë Tiranë.
Fotografitë në ekspozitën e 7 radhazi janë përzgjedhur në mesin e 61,062 fotografive nga 3,581 fotografë nga 130 vende të botës. Në fokus të World Press Photo është edhe liria e medias dhe gazetarëve.
“Fotografitë që do të shikoni këtu janë përzgjedhur nga një juri e pavarur. Kemi pasur gjithsej 61 mijë fotografi për tu përzgjedhur që vinin nga 3851 fotograf nga 130 vende të ndryshme të globit. Fituesit përfshinë 31 fotograf nga 24 vende. Fotografitë e përzgjedhura dokumentojnë çështjet më kryesore që prekin botën. Konfliktet shkatërruese, tollovia politike e krizës së klimës, kalimi i sigurte i emigrantëve dhe fotografi emocionale të pacientëve me kancer. Këtu ka dhe një mesazh. Gazetaria e sotme është një punë tej mase e vështirë. E bërë në kushtet më të vështira dhe që kërkon guximin e të gjithë gazetarëve. Sigurisht është një mesazh për lirinë e shtypit dhe për të gjithë gazetarët që duhet të punojnë në kushtet e lirisë. Fituesit e fotos së gazetarisë globale janë të ndara në katër tema. Kanë të bëjnë me humbjen e pa kthyeshme në Gaza, problemet familjare në Madagaskar, emigracioni në kufi të SHBA dhe Meksikës si dhe jetesën nën luftë në Ukrainë. Punimet që kanë marrë çmime tregojnë rëndësinë e shtypit dhe janë një testament për kurajën, empatinë e të gjithë gazetarëve në Botë”, tha ambasadori.
Ky aktivitet vjen në kuadër të Javës Kulturore Holandeze, program i Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe inovacionit që cila ka sjellë në vendin tonë një sërë aktivitetesh.
“Jemi të gëzuar që kemi në Tiranë ekspozitën e World Press Photo dhe që do të qëndroje për dy javë. Kemi dëshminë e mjaft reporterë në botë që kanë dokumentuar përmes fotografisë disa nga momentet më emocionuese njerëzore dhe luftën për median e lirë, ndryshimet klimatike, luftën në botë. Kjo ekspozitë kaq e mrekullueshme dhe e ndjerë vjen në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare”, u shpreh zv/ministrja e MEKI, Lira Pipa.