Lufta në Gaza, efekte te fëmijët! Të miturit përballen me skena lufte në media e shoqëri: Duam vetëm paqe! Psikologia: Pamjet e rënda ndikojnë negativisht

17 Nëntor 2023, 17:21| Përditesimi: 17 Nëntor 2023, 18:03

  • Share

Pamjet e këtij grupi fëmijësh në Tiranë janë tërësisht e kundërta me ato që po përjetojnë bashkëmoshatarët e tyre në Gaza çdo ditë, nga lufta mes Izraelit dhe Palestinës. Për të dhënë mesazhin se lufta vret buzëqeshjen e fëmijëve, me iniciativën e Bashkisë dhe prindërve, nxënësit e shkollës Don Bosko marshuan në rrugët e kryeqytetit.

 “Lufta nuk është një lojë, pra angazhohemi të gjithë dhe japim një shans paqeje për të ndërtuar një botë plotë me paqe”, tha Don Luigi Martuçi, Drejtor i shkollës Don Bosko.

Janë vetëm 9 vjeçarë, ndërsa tregojnë sa ka ndikuar te ta përballja e parë me pamjet nga lufta Izrael-Palestinë, duke ndarë dhe përjetime personale.

 “Shumë keq ndihem, e kam parë nga lajmet”, tha një fëmijë.

“Unë kam dëgjuar nga shokët e mi të klasës, janë duke përhapur fjalë”, u shpreh një tjetër.

“Nga shkolla kam mësuar, nga lajmet që janë përhapur shumë për këtë luftë”, shtoi një prej tyre.

 “Kemi ardhur këtu për të protestuar kundër luftës sepse ne duam vetëm paqe”, tha fëmija i klasës së 4-të, shkolla Don Bosko.

Psikologia Erisa Aliaj thotë se fatkeqësisht gjasat janë të shumta që fëmijët të cilën përballen me skena dhune, t’i demonstrojnë ato në ambientet ku jetojnë.

“Mënyra se si ndikon tek ta është e tillë që çdo skenë e dhunshme reflekton dhe nxit dhunë tek fëmijët. Përjetimet janë gjithmonë individuale, disa mund të jenë të ftohtë ndaj këtyre pamjeve që ekspozohen, por ka fëmijë të tjerë që e përjetojmë në formë të traumave. Kanë çrregullime gjumi, ushqimi, vetëizolohen, shfaqin frikëra nga më të ndryshmet”, tha psikologia Erisa Aliaj.

Aliaj apelon që prindërit dhe mësuesit të punojnë më shumë fëmijët, që ata të kuptojnë se asgjë nga ato që shohin, nuk duhet të zhvillohet në mendësinë apo sjelljen me moshatarët apo me më të rriturit.

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?