Zemërim dhe frikë, të mbyllur për ditë të tëra në vapën e mjeteve të blinduara pa nxjerrë as kokën për një cigare, me bindjen gjithnjë e më të madhe se po rrezikojnë jetën për një mision të parealizueshëm. Shqetësimi i gjeneralit Eyal Zamir për lodhjen e ushtrisë izraelite në Gaza gjen pasqyrim në mesazhe dhe dëshmi, pothuajse gjithmonë anonime, që përshkruajnë fytyrën tjetër të tmerrit.
Janë ekzekutorët, ata që e kanë hedhur popullsinë palestineze në ferr. Por pyesin gjithnjë e më shpesh se ç’sens ka të vazhdohet ende një cunami bombash, të shtënash artilerie dhe shkatërrimesh të paaftë për të shuar Hamasin, i cili madje shfaq mënyra të reja për të luftuar dhe përpiqet madje të rrëmbejë ushtarë izraelitë: "Detyra jonë? Mezi shohim terroristët dhe përqendrohemi në rrafshimin e tëra lagjeve; mbrojmë punën e buldozerëve dhe kështu bëhemi një objektiv i lehtë. Kur zbulohen luftëtarët, atëherë thërrasim avionët që i bombardojnë. Humori mbizotërues mes trupave në Gaza është se ushtria nuk është dërguar atje për të fituar, por vetëm për t’i lejuar politikës dhe mediave të mburren për fitoren: ushtarët ndihen tërësisht të braktisur. Njësitë shkojnë përpara e prapa pa një objektiv të qartë, me taktika që nuk funksionojnë".
Prej 22 muajsh problemi është i njëjti: cilat janë synimet e pushtimit të Gazës? Shuarja e Hamasit nuk është një rezultat që mund të arrihet me armë: duhet ofruar një alternativë për popullsinë palestineze dhe ndërtuar shpresa për një të ardhme ndryshe. Zamir dhe gjeneralët e tjerë kishin ide të ndryshme nga kryeministri Netanyahu, të paraqitura qartë në nivelet më të larta politike: viti 2025 duhej të shërbente për të konsoliduar radhët e forcave të armatosura, të angazhuara pas disfatës së 7 tetorit 2023 dhe masakrave xhihadiste në një luftë të lodhshme në disa fronte.
Izraeli nuk ka përballuar kurrë një konflikt kaq të gjatë që ka vënë në sprovë mbi të gjitha qindra mijëra rezervistë, të kaluar nga jeta civile te betejat shtëpi më shtëpi, dhe po gërryen madje edhe arsenalin e tij, me tanket e fuqishme Merkava plot aparatura elektronike të dëmtuara nga rëra dhe nga vështirësia për të bërë mirëmbajtje mes rrënojave të Rripit. Dokumenti i komisionit të brendshëm të udhëhequr nga gjenerali Amir Abulafia flet për një “erozion” të aparatit ushtarak: për këtë arsye drejtuesit e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit donin të riorganizonin ushtrinë dhe të mbanin nën presion Hamasin, duke vazhduar ta godisnin në mënyrë selektive derisa ta detyronin të negocionte lirimin e pengjeve, të konsideruar më të rëndësishme se eliminimi i terroristëve.
Pikërisht për të shmangur rrezikimin e izraelitëve në duart e Hamasit, operacioni i fundit “Karrocat e Gedeonit” nuk ka hyrë në një të katërtën e territorit, pjesa që mbetet më e populluar. Aty – duke përdorur gjuhën e manualeve të luftës – ndodhen tre “qendrat e gravitetit” kryesore të rezistencës fondamentaliste: Qyteti i Gazës, ku ka pallate të larta dhe gati një milion njerëz; “metropoli i të zhvendosurve” në Mawasi, shtrirja e pafund e barakave ku vetë izraelitët kanë shtyrë 600 mijë të dëshpëruar duke i hedhur në duart e terroristëve, aq sa sot ushtarët e quajnë “Hamas City”; së fundi Nussirat dhe Deir al-Balah, bastion i batalioneve xhihadiste më pak të shkatërruara që përdorin pengjet si mburoja njerëzore dhe fshihen mes 350 mijë banorëve të rrënuar nga uria. Planifikimi i një ofensive në këto zona është një makth: "Vetëm për këtë objektiv të fundit do të jetë e nevojshme të dislokohen dy divizione – shpjegon për “Repubblica” një ish-oficer i IDF – dhe të parashikohen humbje të larta: terroristët po na presin, llogarisin në një rrjet nëntokësor ende funksional dhe e dinë se nuk kanë asgjë për të humbur".
Që nga maji, në operacionin “Karrocat e Gedeonit” ka pasur 48 të rënë: shumë pak në krahasim me kasaphanën e civilëve; shumë për standardet e Shtetit hebre, i cili më shumë se çdo tjetër e vë në plan të parë mbrojtjen e personelit. "Luftëtarët janë të detyruar të flenë në mjete ose pranë tyre pa asnjë higjienë minimale – ka shkruar në rrjete sociale majori A. –, me një dëm për gatishmërinë operative dhe shëndetin: flenë për ditë të tëra pranë mbeturinave, urinës dhe feçeve, një gjendje që burrat e quajnë “muri i verdhë”. Dhe e përfundon po aq ashpër: "Armiku nuk është bërë më i fortë, jemi bërë më të dobët ne. Ai zbulon boshllëqe, kohëzgjatje të pasigurt, mungesë drejtimi dhe i shfrytëzon ato. Kur armiku sheh manovra të dobëta, komandë të munguar dhe luftëtarë të lodhur, nuk dekurajohet dhe sulmon. Shpëtoni ushtarin e ardhshëm!"/La Repubblica
Komente
