Gjermania ka kërcënuar me masa kundër Izraelit dhe se nuk do të dërgojë armë që mund të përdoren për të shkelur ligjin humanitar, duke përmendur gjendjen kritike aktuale në Rripin e Gazës.
Duke folur për transmetuesin WDR, ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul paralajmëroi se mbështetja historike e Gjermanisë për Izraelin nuk duhet të instrumentalizohet, dhe se do të ndërhynin nëse përkeqësohet situata, raporton Reuters.
"Lufta jonë e përkushtuar kundër antisemitizmit dhe mbështetja jonë e plotë për të drejtën për të ekzistuar dhe sigurinë e shtetit të Izraelit nuk duhet të instrumentalizohet për konfliktin dhe luftën që po zhvillohet aktualisht në Rripin e Gazës. Tani jemi në një pikë ku duhet të mendojmë shumë me kujdes se çfarë hapash të mëtejshëm duhet të ndërmarrim", tha ai, pa dhënë detaje të mëtejshme.
"Kur shohim rreziqe dëmi, sigurisht që do të ndërhyjmë dhe sigurisht që nuk do të furnizojmë me armë në mënyrë që të ketë dëme të mëtejshme", shtoi ai.
Këto komente vijnë pas një ndryshimi të qartë të qëndrimit të qeverisë gjermane ndaj sulmeve ajrore izraelite në Gaza, të cilat kanë shkaktuar viktima dhe përkeqësimin e krizës humanitare.
Edhe kancelari Friedrich Merz ka kritikuar sulmet ajrore izraelite, duke i quajtur ato të pajustifikuara dhe pa një logjikë të qartë për përballjen me terrorizmin. Kjo pasqyron një ndryshim të rëndësishëm në politikën e Gjermanisë, që ka qenë një mbështetëse e fortë e Izraelit, për shkak të Holokaustit.
Sondazhe të fundit kanë treguar një kundërshtim gjithnjë e më të madh në opinionin publik gjerman ndaj eksportimit të armëve në Izrael, duke reflektuar një rritje të kritikave ndërkombëtare ndaj veprimeve të Izraelit në Gaza.
Kjo kthesë e Berlinit vjen ndërsa Bashkimi Evropian po rishikon politikën e saj ndaj Izraelit dhe Britania, Franca dhe Kanadaja kanë kërcënuar gjithashtu me veprime konkrete mbi Gazën.
Sulmet në Gaza kanë vrarë dhjetëra njerëz ditët e fundit, dhe popullsia prej më shumë se 2 milionësh përballet me përkeqësim të urisë dhe mungesës së ushqimit, sipas një monitoruesi të mbështetur nga OKB.
Komente
