Bota

Armëpushim në Gaza/ Hamasi ia dorëzon Kryqit të Kuq, 3 pengjet e para gra ndodhen në Izrael: Të shtunën lirohen të tjerë! Netanyahu: Ditë e madhe!

19 Janar, 07:52| Përditesimi: 19 Janar, 21:23

  • Share

Gaza- Lufta gati 15-mujore në Gaza mes Izraelit dhe Hamasit është ndalur këtë të dielë, 19 janar, pas hyrjes në fuqi zyrtarisht të armëpushimit mes palëve. 

Po sot pasdite u liruan edhe 3 pengjet e para nga Hamasi dhe dorëzimin e tyre u bë te përfaqësuesit e Kryqit të Kuq, informon “La Repubblica”. Mediat shkruajnë se Hamasi i dorëzoi Kryqit të Kuq tre pengjet e para gra, Romi Gonen, Emily Damari dhe Doron Steinbrecher.

Ushtria izraelite, IDF, tha se tre pengjet e liruara nga Hamasi ndodhen me forcat e saj, teksa janë takuar me familjarët. Ato janë përqafuar me nënat e tyre para se të dërgoheshin drejt spitalit.

"Tre pengjet e liruara shoqërohen nga forcat speciale të IDF dhe forcat ISA në kthimin e tyre në territorin izraelit, ku do t'i nënshtrohen një vlerësimi fillestar mjekësor", tha ushtria në një deklaratë.

Edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, raportohet se ka reaguar për lirimin e pengjeve, duke e quajtur historike.

"Një ditë e madhe! Ne i mirëpresim me dashuri", u shpreh ai ndër të tjera.

Në një bisedë me një oficer izraelit të raportuar nga Times of Israel ai ka thënë gjithashtu se “sot është një ditë e madhe”.

"E di, të gjithë e dimë se ata kanë kaluar nëpër ferr, po shkojnë nga errësira në dritë, nga skllavëria në liri”, vijoi më tej kryeministri izraelit, kur foli për kthimin në Izrael të tre grave që u mbajtën peng nga Hamasi në Rripin e Gazës.

Edhe BE mirëpriti lirimin e pengjeve dhe armëpushimin, duke apeluar që të vijojë më tej, kurse vetë Hamas deklaroi se “ata do e respektojnë marrëveshjen”. Ndërkohë që një burim afër organizatës tha nga Doha se "të shtunën e ardhshme do lirohet pjesa tjetër e pengjeve", gjithnjë nëse Izraeli i qëndron marrëveshjes.

Tre gratë pengje janë një infermiere veterinere 30 vjeçare, një vajzë 24 vjeçare e rrëmbyer në Festivalin Nova dhe një vajzë 28 vjeçare me shtetësi edhe britanike. Sipas mediave, nga ana tjetër Izraeli do të lirojë 90 gra palestineze të burgosura.

Zyrtarët izraelitë gjithashtu e konfirmuan se "procesi i lirimit të pengjeve tashmë ka filluar". IDF autorizoi nënat e të rrëmbyerve që t'i takonin në kompleksin e pritjes, Reem përpara se të dërgoheshin në spital. Pas përqafimit me familjarët, vijohet me kontrollet në spital nga mjekët dhe trajtimin e tyre.

Kurse imazhet nga Gaza të publikuara në mediat sociale tregonin autokolonën e Kryqit të Kuq në rrugën e saj për të rimarrë tre pengjet izraelite përpara lirimit të tyre.

Edhe presidenti amerikan në largim, Joe Biden komentoi armëpushimin e Gazës pas mbërritjes së tij në Charleston. Nga Karolina e Jugut, në ditën e fundit të plotë të presidencës së tij në Shtëpinë e Bardhë, ai vlerësoi marrëveshjen e paqes dypalëshe.

Mijëra palestinezë festuan në rrugë, ndërsa tashmë po kthehen në banesat e tyre të rrënuara. Trupat izraelite u tërhoqën nga Gaza, pas marrëveshjes së arritur në Doha. Automjetet e IDF u panë duke u larguar nga Rafah përmes korridorit të Filadelfias, i cili shtrihet përgjatë kufirit jugor me Egjiptin. 

Por, ndërsa Hamasi ende s’kishte publikuar listën me emrat e pengjeve, ushtria izraelite vijoi sulmet në Gaza duke vrarë 19 persona dhe plagosur 30 të tjerë. Netanyahu ka thënë se sipas marrëveshjes Izraelit i lind e drejta të rifillojë luftën në rast të mos zbatimit të saj nga Hamasi në termat e rëna dakord.

Presidenti amerikan Biden vetëm pak ditë më parë tha se palët pas fazës së parë të armëpushimit duhet të vijojnë negociatat për mbylljen përfundimtare të luftës, kohë gjatë së cilës duhet të qëndrojnë në armëpushim. 

Lufta në Gaza ka shkaktuar viktima të shumta dhe dëme të mëdha materiale, ku si pasojë e ofensivës izraelite janë vrarë më shumë se 46.000 palestinezë, ndërsa mbi 90 për qind e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh është zhvendosur.

Marrëveshja mes Izraelit e Hamasit

Armëpushimi, që u arrit pas një viti të ndërmjetësimit intensiv nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti, është i dyti që hyn në fuqi që kur nisi lufta në tetorin e vitit 2023, pasi mbi një vit më parë palët kishin ndalur luftimet për një javë dhe gjatë asaj periudhe u liruan disa pengje. Negociatat e ndërmjetësuara nga Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara erdhën pak përpara inaugurimit të Presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, më 20 janar .

Faza e parë e saj do të zgjasë gjashtë javë, gjatë së cilës 33 nga 98 pengjet e mbetura - gra, fëmijë, burra mbi 50 vjeç, të sëmurë dhe të plagosur - do të lirohen në këmbim të gati 2,000 të burgosurve dhe të paraburgosurve palestinezë.

Gjatë fazës së parë, ushtria izraelite do të tërhiqet nga disa nga pozicionet e saj në Gaza dhe palestinezët e zhvendosur nga zonat në veri të Gazës do të lejohen të kthehen.

Ora 21:19
Lufta në Gaza/ Momenti prekës kur 3 pengjet përqafojnë nënat e tyre, pas gati dy vitesh makthi në duart e Hamasit: Jemi shumë mirë!

Momenti prekës, kur 3 pengjet e liruara përqafojnë nënat e tyre me lotë gëzimi

Këto janë shkrepjet historike të një prej lajmeve më të rëndësishme të vitit dhe më prekëset.

Tre pengjet e liruara pas gati dy vitesh nga rrëmbimi prej Hamasit (7 tetor 2023), kanë ndjerë përsëri dashurinë familjare dhe gëzimin e ribashkimit me të afërmit.

Momente prekëse nga takimi dhe përqafimi mes lotëve të gëzimit me nënat e tyre, të 3 vajzave të liruara sot nga Hamas (19 Janar).

Zëdhënësi i IDF-së raportoi se Romi Gonen, Emily Damari dhe Doron Steinbracher, tre gratë izraelite të liruara pas muajsh robërie në Gaza, mbërritën me helikopter në spitalin Sheba në Tel Hashomer, ku do të takojnë pjesën tjetër të familjeve të tyre dhe do të marrin kujdes mjekësor, informon “La Repubblica”. 

Këtë e raporton Ynet. Edhe pse në gjendje të mirë shëndetësore, tre gratë u dërguan në spital pasi u ribashkuan me nënat e tyre në kufirin e Gazës pas kthimit të tyre në Izrael. Ato u shprehenë se ndiheshin shumë mirë.

Llogaria X e ushtrisë izraelite ka postuar një foto të Emily duke pozuar me nënën e saj, si dhe të tjerave përkatësisht.

Ora 19:07
Lufta në Gaza/ Hamasi: Do respektojmë marrëveshjen, grupi tjetër do të lirohet të shtunën e ardhshme! BE: Dritë shprese, të lehtësuar!

Momenti i lirimit të një prej pengjeve

Më në fund paqja duket se është arritur mes Hamas dhe Izraelit, të paktën në armëpushimin dhe shkëmbimin e pengjeve me të arrestuarit palestinezë.

Organizata që vepron në Gaza dhe Palestinë, Hamas, deklaroi sot se do e respektojë marrëveshjen dhe se grupi tjetër i pengjeve do lirohet të shtunën e ardhshme.

"Lirimi i grupit të dytë të të burgosurve izraelitë (të pengjeve të mbajtur në Rripin e Gazës) do të bëhet në mbrëmjen e së shtunës së ardhshme, në ditën e shtatë që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes së armëpushimit me Izraelin”, u shpreh një përfaqësues i Hamasit në kushte anonimitetit, për agjencinë AFP nga Doha, pas lirimit të tre grave këtë pasdite.

Edhe BE shprehu vlerësimin e saj dhe lehtësimin për lirimin e pengjeve të para.

“Jam i lehtësuar që më në fund shoh pengjet e para të liruara dhe ndihma humanitare që vjen në fuqi, pasi marrëveshja sjell një dritë të shumëpritur shprese në rajon", tha presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, në rrjetin social X 

Abu Obeida, një zëdhënës i Brigadave Qassam të Hamasit, gjithashtu mbajti një fjalim televiziv duke thënë se grupi ishte i përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit dhe u kërkoi ndërmjetësve që ta detyrojnë Izraelin ta respektojë atë. Këtë e raporton Al Jazeera. Hamasi pretendon se suksesi i marrëveshjes do të varet 'nga vullneti i mirë i Izraelit'.

Ora 17:29
Lufta dhe pasojat/ OBSH: Do të nevojiten 10 miliardë dollarë për të rindërtuar sistemin shëndetësor të Gazës, i shkatërruar tërësisht

Pasojat e luftës gati dyvjeçare në Gaza

Përllogaritja për rindërtimin e sektorit shëndetësor vetëm në Gaza brenda shtatë viteve të ardhshme arrin në 10 miliardë dollarë. 

Kjo është raportuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Në një konferencë për shtyp në internet, Rik Peeperkorn, përfaqësues i organit të OKB-së në territoret e pushtuara palestineze, sqaroi se për momentin "analizat janë duke u zhvilluar nga Banka Botërore, BE, Kombet e Bashkuara dhe qeveritë, për të kryer këtë vlerësim për çdo sektor”. 

Për sa i përket shëndetësisë, ai tha se “rreth 3 miliardë do të nevojiten në një vit e gjysmë dhe në gjashtë apo shtatë vitet e ardhshme, vetëm për shëndetësinë”, duke arritur në “rreth 10 miliardë”, si pasojë e dëmeve dhe shkatërrimit në këto 471 ditë lufte masive. 

“Të gjitha spitalet janë të dëmtuara apo pjesërisht të shkatërruara”, shtoi ai, duke sqaruar se “e njëjta gjë vlen edhe për klinikat e kujdesit shëndetësor parësor”. “Nuk kam parë kurrë në jetën time diçka të tillë dhe nuk e kam parë kurrë nga askush tjetër”, tha përfaqësuesi i OBSH-së. 

Kreu i Organizatës Tedros Adhanom Ghebreyesus i bëri jehonë kësaj duke deklaruar se rindërtimi i sistemit shëndetësor të Gazës "do të jetë një ndërmarrje kolosale" pasi "më pak se gjysma e spitaleve të Gazës janë duke funksionuar". 

Hyrja në fuqi e marrëveshjes së armëpushimit, përfundoi ai, "shënon fundin e kapitullit më të errët në historinë e marrëdhënieve midis izraelitëve dhe palestinezëve".

Ora 14:42
VIDEOLAJM Një grumbull rrënojash, ja si duket Gaza pas tërheqjes së Izraelit

Gjithçka është e rrënuar. Pas gati 15 muajsh luftë në Rripin e Gazës ajo çfarë ka mbetur pas është vetëm shkatërrimi.

Në këtë video shfaqet gjithçka që ja mbetur pas bombardimeve shkatërruese në Gaza, ku tashmë trupat izraelite janë tërhequr pasi futjes në fuqi të marrëveshjes së armëpushimit dhe lirimit të pengjeve.

Mijëra palestinezë kanë marshuar në drejtim të Gazës Veriore në kërkim të shtëpive, por ata po përballen me grumbuj rrënojash.

Ora 14:39
Lufta/ Momenti kur tanket izraelite tërhiqen nga Rripi i Gazës (VIDEO)

 

Është publikuar video e momentit të tërheqjes së tankeve izraelite nga Rripi i Gazës.

Automjetet e blinduara ishin aty për rreth një vit dhe u larguan mbrëmë përpara marrëveshjes së armëpushimit, e cila ishte planifikuar për në orën 8:30 të mëngjesit të sotëm, por u vonua sepse Hamasi nuk kishte dhënë listën e pengjeve që do të lironte.

Armëpushimi filloi me tre orë vonesë, përkatësisht në orën 11:15 pasi zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu konfirmoi se Izraeli kishte marrë zyrtarisht listën e pengjeve që do të liroheshin sot në orën 16:00.

Ora 14:31
VIDEOLAJM/ Mijëra palestinezë marshojnë për t'u kthyer në Gazën veriore

 

Që nga fillimi i armëpushimit, mijëra palestinezë kanë dalë në rrugë për t'u kthyer në shtëpitë e tyre në Rripin e Gazës.

Në mesditë, mijëra njerëz po mbërrinin në Jabalia nga qyteti i Gazës në territorin verior palestinez. Njerëz të tjerë po ktheheshin në zonat e Rafah dhe Khan Younès (në jug).

Imazhet janë rrëqethëse, ndërsa palestinezët kalojnë mes rrënojave.

Ora 12:06
VIDEOLAJM/ Më në fund arrihet armëpushimi, palestinezët festojnë në rrugët e Gazës

Më në fund, marrëveshja mes Izraelit e Hamasit u fut në fuqi. Tashmë do të nisë lirimi i pengjeve dhe të burgosurve në Izrael.

Në media qarkullojnë pamjet e momentit kur palestinezët festojnë në qendër të Rripit të Gazës, përballë spitalit “Martirs of Al Aksa”.

Shumë njerëz dolën në rrugë për të shprehur gëzimin e tyre pas shpalljes së armëpushimit.

Ora 11:24
Jep dorëheqjen ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, shkak armëpushimi në Gaza

1737282353_ItamarBenGvir.JPG

Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir ka dhënë dorëheqjen nga qeveria në kundërshtim me marrëveshjen e armëpushimit.

Sipas mediave të huaja, Ben Gvir kishte thënë se partia e tij do të tërhiqet nga koalicioni qeverisës i kryeministrit Bënjamin Netanyahu nëse kabineti miraton marrëveshjen e armëpushimit të pengjeve me Hamasin në Rripin e Gazës.

Ora 09:22
Media: Hamasi i ka dhënë Izraelit listën e pengjeve që do të lirohen

Foto nga sulmet sot në Gaza

Sipas transmetuesit izraelit Channel 12, Hamasi i ka dorëzuar Izraelit listën e pengjeve që do të lirohen. Pra, pengesa që deri më tani ka penguar hyrjen në fuqi të armëpushimit duhet të tejkalohet.

Ora 09:11
Vonesa vdekjeprurëse e armëpushimit, 19 të vrarë në Gaza dhe 30 të plagosur

Foto nga sulmet sot në Gaza

Armëpushimi në Gaza duhej të hynte në fuqi në orën 07:30 në Itali, sipas orës së vendit tonë, por u shty për në orën 10.15 sepse Hamasi nuk kishte publikuar në kohë emrat e tre pengjeve që do të lirojë sot. Vonesa, që zgjati dy orë e dyzet e pesë minuta, u kushtoi jetën 19 personave, të cilët u vranë nga sulmet ajrore që vazhduan deri në fund. Ata janë viktimat e fundit palestineze para armëpushimit.

Gjatë natës, Netanyahu i dha urdhër ushtrisë së tij për të vazhduar operacionet. “Armëpushimi do të shpallet vetëm kur të kemi tre emrat”, paralajmëroi kryeministri izraelit. Por në agim, emrat nuk kishin ardhur ende.

Abu Obeida, një nga zëdhënësit e Hamasit, tha se vonesa ishte për shkak të vështirësisë për të kontaktuar me ata që mbanin pengjet e rrëmbyer dhe për të pasur konfirmim për mundësinë e lirimit në të njëjtën ditë. Zëdhënësi i Mbrojtjes Civile të Gazës, Mahmoud Basal, raporton për La Repubblica: "Me sa di unë, nga ora 8.30 deri në 11.30 të mëngjesit të sotëm një palestinez vdiq në Rafah, nëntë vdiqën në qytetin e Gazës, gjashtë në Khan Yunis, tre në veri të Rripit. Gjithsej 19 të vdekur dhe 30 të plagosur nga bombardimet e IDF”.

Tre janë vëllezër që i përkasin familjes Alewa, ata jetonin në lagjen Sahjayeh në qytetin e Gazës.

SI.E./A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Bim: 19/01/2025 08:37

    Nje shtet me tipare naziste qe komandon boten siç pretendonte musteqi. Tallen me demokratwt amerikan per nje armpushim qe kishin tesh 5 muaj veq me ja ba qefin republikanet w atyre nuk I bjen qerpiku. Bote e çuditshme por dihet se si kan me shku punet se ashtu shkojn tesh 2000 vjet

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni gjendjen e sigurisë në vend?