Ish-përfaqësuesi i Jashtëm i BE, Josep Borrell

Bota

Lufta në Gaza, Josep Borrell: Nuk mjafton vetëm njohja e shtetit palestinez, duhen sanksione ndaj Izraelit

24 Shtator, 09:16| Përditesimi: 24 Shtator, 09:54

  • Share

Ish-përfaqësuesi i Jashtëm i BE-së, Josep Borrell ka dhënë një intervistë për La Repubblica, ka komentuar njohjet e fundit nga shtetet perëndimore si Franca, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja e të tjera, që kanë vendosur të njohin shtetin e Palestinës. Borrell, një kritik i zëshëm ndaj Izraelit, tha se duhet të miratohen sanksione të forta ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, sepse siç shtoi ai, “vetëm fjalët e mira nuk do të mjaftojnë”.

"Duhet të adoptohen sanksione kundër Netanyahu-t dhe qeverisë së Izraelit, ashtu siç bëmë kundër Afrikës së Jugut gjatë aparteidit. Vetëm fjalët e bukura nuk vlejnë".", theksoi Borrell. 

Duke u ndalur te vendimi i BE-së për të pezulluar pjesërisht Marrëveshjen e Asociimit me Izraelin në tregti, Borrell tha se një masë e tillë është e vonuar.

"Spanja dhe Irlanda e kishin kërkuar këtë në shkurt 2024. Në atë moment kishte 25 mijë të vdekur në Gaza. Tani që presidentja e Komisionit propozon të njëjtin pezullim, edhe pse vetëm pjesërisht, të vdekurit janë bërë 65 mijë. Një vonesë që ka kushtuar 40 mijë jetë. Dhe pesha ekonomike e kësaj mase për Izraelin është vetëm 220 milionë euro në vit, nuk do ta trembë Netanyahun. Pyes veten: a do të duhen edhe 40 mijë të vdekur të tjerë për të pezulluar plotësisht Marrëveshjen?", shtoi ai.

Artikulli i plotë i La Repubblica: 

"Ajo që është e rëndësishme nuk është vetëm numri i vendeve të reja, dymbëdhjetë, që tani njohin Shtetin e Palestinës, por fakti që janë vende perëndimore, pra tradicionalisht mbështetëse të Izraelit, si Franca, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja". Dhjetë muaj pas largimit nga detyra si nënkryetar dhe Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Europian për punët e jashtme, Josep Borrell, 78 vjeç, e ka agjendën plot. Dje ishte në Trento për një leksion mbi politikën dhe diplomacinë në Shkollën e Studimeve Ndërkombëtare.

Është një lëvizje simbolike apo do të ketë pasoja konkrete?

"Deri më tani fakti që shumica e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara kanë njohur Palestinën nuk ka prodhuar asnjë efekt. Duhet parë nëse konferenca e Nju Jorkut mbi njohjen e Palestinës do të përkthehet në një rrugë konkrete drejt paqes. Një gjë është e sigurt: njohja pa veprim mbetet një frazë boshe".

Për çfarë lloj veprimesh mendoni?

"Duhet të adoptohen sanksione kundër Netanyahu-t dhe qeverisë së Izraelit, ashtu siç bëmë kundër Afrikës së Jugut gjatë aparteidit. Vetëm fjalët e bukura nuk vlejnë".

Nëse populli palestinez meriton të ketë një shtet, dhe padyshim që e meriton, pse vendet e G7 lëvizën vetëm pas tmerreve të Gazës? A nuk shihni hipokrizi në këto njohje?

"Po, mund të interpretohet kështu. Disa vende europiane, si Franca, kanë hezituar dhe janë lëkundur gjithmonë. Është gjithashtu e mundur që katastrofa humanitare të cilës po i bëhemi dëshmitarë po i detyron qeveritë të veprojnë, të shtyra nga opinionet e tyre publike. Është tragjike të mendosh se njohja vjen me çmimin e vuajtjes së popullit palestinez".

Pse Gjermania dhe Italia janë hezituese?

"Në përgjithësi e djathta dhe ekstremi i djathtë në Europë, si edhe vendet joliberale dhe autoritare, janë pa kushte pro-Izrael, mjafton të shohim Hungarinë. E majta priret të jetë më shumë pro-palestinezëve për arsye solidariteti dhe humaniteti. Gjermania është një rast i veçantë, si social-demokratët ashtu edhe kristiano-demokratët janë pozicionuar gjithmonë pro Izraelit për ndjenjën e fajit të Holokaustit. Megjithatë gjërat po ndryshojnë, brenda SPD-së ka nga ata që kritikojnë rolin që kancelari i mëparshëm Scholz ka luajtur në legjislaturën e kaluar. Sa për Italinë, arsyeja gjendet në ato që sapo thashë".

Gjatë mandatit tuaj në Bruksel pse nuk keni punuar për njohjen?

"Njohja e Palestinës është një çështje kombëtare".

Kaja Kallas, që ka zëvendësuar ju si përfaqësuese e politikës së jashtme europiane, ka thënë se ju nuk keni bërë asgjë për të ndalur masakrën në Gaza.

"Kur merr një detyrë kaq të komplikuar, është një rregull i mirë të mos kritikosh as paraardhësin, as pasardhësin. Historia do të na gjykojë të gjithëve, nuk kam ndërmend të hyj në këtë polemikë".

Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, ka ndryshuar qëndrim ndaj Izraelit?

"Nuk më duket. Von der Leyen ka treguar gjithmonë mbështetje të pakushtëzuar për Izraelin, si një kristiano-demokrate gjermane që është, e lindur pas luftës. E kam dëgjuar publikisht të thotë “më në fund populli hebre ka arritur tokën e premtuar, ka lulëzuar shkretëtirën”. Premtuar nga kush? Të shohim pak nëse tani institucionet europiane fillojnë të ndjekin premtimet e Biblës. Unë kam punuar në një kibbutz dhe sigurisht kolonët izraelitë e punojnë tokën shumë mirë, por ajo tokë nuk ishte një shkretëtirë, aty jetonin njerëz. Ideja që i kemi dhënë “një populli pa tokë një tokë pa popull” është një nga gënjeshtrat e mëdha të Perëndimit".

Von der Leyen, megjithatë, ka propozuar pezullimin e pjesshëm të Marrëveshjes së asociimit BE-Izrael, në kapitullin mbi shkëmbimet tregtare. Është një masë konkrete.

"Spanja dhe Irlanda e kishin kërkuar këtë në shkurt 2024. Në atë moment kishte 25 mijë të vdekur në Gaza. Tani që presidentja e Komisionit propozon të njëjtin pezullim, edhe pse vetëm pjesërisht, të vdekurit janë bërë 65 mijë. Një vonesë që ka kushtuar 40 mijë jetë. Dhe pesha ekonomike e kësaj mase për Izraelin është vetëm 220 milionë euro në vit, nuk do ta trembë Netanyahun. Pyes veten: a do të duhen edhe 40 mijë të vdekur të tjerë për të pezulluar plotësisht Marrëveshjen?"

Të njohësh Shtetin e Palestinës është një favor për Hamasin, siç thotë kryeministri i Izraelit?

"Përgjigjja tipike e Netanyahut, kushdo që e kritikon është antisemit apo mbështetës i terrorizmit. Netanyahu akuzohet për krime të rënda lufte nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, duhet të fillojmë ta shohim nga kjo perspektivë".

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Këshilli Bashkiak voton pro shkarkimit të Erion Veliajt, si e vlerësoni?