Bota

Draft-marrëveshja e armëpushimit në Gaza, Netanyahu: Ndryshimet e kërkuara nga Hamasi janë të papranueshme, por do të negociojmë në Doha

6 Korrik, 07:55| Përditesimi: 6 Korrik, 17:22

  • Share

Izraeli do të dërgojë ekipin e tij të negociatorëve në Doha, dhe ky është një sinjal shprese për Rripin e Gazës. Pas miratimit me rezerva të Hamasit për draft-marrëveshjen e armëpushimit të paraqitur nga ndërmjetësit e Katarit – e cila në fakt ndjek planin e amerikanit Steve Witkoff – pritej përgjigjja e shtetit hebre. Netanyahu, pasi mblodhi Këshillin e Sigurisë, konfirmoi dërgimin e ekipit, por theksoi se ndryshimet e kërkuara nga Hamasi për draftin “nuk janë të pranueshme”.

Ekipi pritet të mbërrijë sot në kryeqytetin e Katarit për atë që përshkruhet si “bisedime të afërta”: në thelb, kjo është faza e fundit e negociatave që, si zakonisht, nuk do të jenë të drejtpërdrejta, por do të zhvillohen përmes ndërmjetësve egjiptianë, katariotë dhe amerikanë. Në tryezë është hipoteza e një armëpushimi dy mujor, gjatë të cilit Izraeli do të marrë 28 pengje (10 ende të gjallë, 18 trupa), ndërsa Hamasi kërkon më shumë garanci për një negociatë serioze e të zgjatur, me synimin që ajo të bëhet e përhershme.

Ndër pikat ende në diskutim, për të cilat Netanyahu tregohet i palëkundur, janë fati i Fondacionit Humanitar të Gazës (Ghf) dhe pozicionet brenda Rripit ku duhet të tërhiqen trupat izraelite gjatë atyre 60 ditëve. Hamasi, ndërkohë, i trembet pikërisht orëve të fundit para arritjes së mundshme të armëpushimit. Vetëm dje, nga bombardimet e Forcave të Mbrojtjes Izraelite (Idf), u shënuan edhe 70 viktima të tjera.

Aparati i sigurisë së Hamasit, lëvizja islamiste palestineze përgjegjëse për pogromin e 7 Tetorit, publikoi një seri udhëzimesh dhe një paralajmërim: “Izraeli mund ta shfrytëzojë këtë moment për vrasje të synuara, arrestime dhe përpjekje për të liruar pengje”.

Ndërkohë, dy kontraktorë amerikanë mbetën të plagosur nga shpërthimi i dy granatave pranë njërit prej pikave të shpërndarjes së ndihmave të Ghf në Rafah, teksa banorët e Gazës po tërhiqnin pako ushqimore. Ushtria izraelite konfirmoi sulmin duke akuzuar Hamasin dhe grupe të tjera të armatosura palestineze për sabotim. Po ashtu, ajo njoftoi se kishte rrëzuar, përmes sistemit të mbrojtjes ajrore Iron Dome, dy raketa të lëshuara nga Gaza në drejtim të jugut të Izraelit.

Netanyahu, i cili sot niset drejt Uashingtonit për të takuar presidentin amerikan në Shtëpinë e Bardhë (“Një armëpushim këtë javë”, shpreson Trump), ka diskutuar me ministrat linjat udhëzuese për ekipin negociator, veçanërisht për të përcaktuar “vijat e kuqe” nga të cilat nuk do të tërhiqet.

Gjatë ditës dje, Netanyahu ka folur edhe me Giorgia Melonin: kryeministrja italiane ka theksuar urgjencën për të arritur një armëpushim që të mundësojë lirimin e pengjeve që janë ende gjallë dhe hyrjen e plotë e të pakushtëzuar të ndihmës humanitare për popullsinë civile. Meloni ka komunikuar gjithashtu me Emirin e Katarit, Tamim bin Hamad al Thani, në kuadër të kontakteve të nisura që në samitin e G7 në Kananaskis.

Por familjet e pengjeve protestojnë, pasi, edhe në rastin më të mirë, vetëm gjysma e të gjallëve do të lirohen. Në Tel Aviv dhe qytete të tjera të vendit, dhjetëra mijëra manifestues u bashkuan me protestat e të afërmve. “Në këtë moment kritik është e ndaluar të pranojmë listat e Schindler-it që po na diktohen, sikur të ishte e pamundur t’i kthenim të gjithë pas”, deklaroi Forumi i familjeve, duke iu referuar listës së Oskar Schindler, me emrat e hebrenjve që ai shpëtoi nga deportimi në kampet naziste të përqendrimit gjatë Holokaustit. Për të afërmit, mënyra e lirimit të pengjeve përmes listave dhe fazave të ndryshme krijon një “pasiguri të padurueshme”./La Repubblica

Xh.D/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • miri: 06/07/2025 12:10

    boll fute jeten e Izraliteve ne bote ne rrezik edhe urretje mer pengjet jepi fund luftes se nga viktime te hitlerit u bone hitler vete

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rama paralajmëron aksion për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?