Shitës në Bregun Perëndimor

Lufta në Gazë shton papunësinë dhe varfërinë në Bregun Perëndimor

14 Nëntor, 19:41| Përditesimi: 14 Nëntor, 19:43

  • Share

Ndërsa popullsia në disa pjesë të Gazës rrezikohet nga uria, vështirësitë po i përjetojnë edhe palestinezët në Bregun Perëndimor. Siç njofton nga Ramallahu korrespondentja e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein, ata nuk munden më të punojnë në Izrael dhe gjithë ekonomia e Bregut Perëndimor po i ndjen pasojat.

Përpara sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor, mbi 200 mijë palestinezë nga Bregu Perëndimor dhe Gaza punonin në Izrael duke mbështetur kështu ekonominë palestineze. Për mbi një vit, atyre u është ndaluar tashmë hyrja në Izrael dhe shumica i kanë humbur vendet punës, që i kanë patur përgjithësisht në ndërtim.

Kur filloi lufta, Shukri Al Najjar nga Gaza, lyente shtëpitë në qytetin Beersheva në jug Izraelit. Ai tashmë është i papunë dhe qëndron i bllokuar në Ramallah, qytet palestinez në Bregun Perëndimor. Atij nuk i lejohet të hyjë në Izrael, apo të rikthehet në Gazë, pasi kufijtë janë të mbyllur.

“Përpara luftës isha mirë edhe kur nuk gjeja punë. Isha me familjen time. Nuk kishte frikë. Tashmë ekonomia është më keq dhe jam shumë i frikësuar për mirëqenien e familjes time, sigurinë e tyre”, tregon Shukriu.

Ai thotë se së bashku me 80% të godinave të banimit në Gazë, shtëpia e familjes së tij në Gazën veriore u shkatërrua nga sulmet ajrore izraelite. Fatmirësisht, familja e tij nuk gjendej në banesë kur u bë sulmi.

Ekonomia në Gazë është shkatërruar dhe agjencitë e OKB-së thonë se do të duhen dekada për t’u rindërtuar. Ekonomia në Bregun Perëndimor ka pësuar goditje domethënëse gjatë një viti luftimesh, ndërsa papunësia është rritur në gati 40%.

“Humbëm rreth 10-12% të GDP-së këtu në Bregun Perëndimor pas gati një viti luftimesh. Dhe tashmë niveli i papunësisë është trefishuar. Varfëria sigurisht që do të rritet. Tashmë flitet për nivel varfërie në gati 45% në Bregun Perëndimor”, thotë profesori i ekonomisë Nasser Abdel Karim, nga Universiteti Arabo-Amerikan, pranë Ramallahut.

Shumë nga bizneset në Bregun Perëndimor janë mbyllur, ose ushtrojnë aktivitet shumë të kufizuar.

Kovaçi palestinez Rabee Ffleifel thotë se të ardhurat janë të pakta dhe mezi mjaftojnë për të ushqyer fëmijët e tij. Ai prodhon kangjella dhe dekorime dritaresh. Ky lloj biznesi ka rënë me gati 90%, pasi njerëzit po i ruajnë paratë për gjërat më thelbësore.

Të njëjtin mesazh dëgjon edhe përballë dyqanit të tij, ku Khalil Abu Arayes ka një punishte për riparimin e makinave.

“Njerëzit nuk punojnë. Ato pak para që kanë, duan t’i ruajnë për të blerë ushqim. Nuk duan të vijnë tek zona industriale për të blerë një derë, apo për të ndrequr makinën”, thotë zoti Arayes.

Shumë palestinezë në Bregun Perëndimor thonë se situata e tanishme ekonomike në Bregun Perëndimor është më e vështira me të cilën ata janë përballur ndonjëherë.

Ata shpresojnë se lufta në Gazë do të përfundojë së shpejti dhe se do të munden të punojnë sërish në Izrael. Kjo do t’i jepte edhe mundësinë ekonomisë për të filluar rimëkëmbjen./VOA

Xh.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?