Lulzim Basha dhe Sali Berisha

Lufta në PD/ Berisha i dublon ‘RD’-në Bashës me Blendi Kasmin! I rrëmben edhe Avokatin e Popullit?!   

4 Janar 2022, 16:04| Përditesimi: 4 Janar 2022, 17:39

  • Share

TIRANË- Përshkallëzohet në të gjitha format e mundshme lufta mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës për kontrollin e Partisë Demokratike. Krahas Kuvendit-miting, statutit paralel, strukturave paralele, të ashtuquajturit Komision për Rithemelimin e PD-së, disa tentativave për të pushtuar me forcë selinë e partisë dhe thirrje e një proteste për të rrethuar selinë në 8 janar, Sali Berisha ka vendosur të dublojë edhe ‘Rilindjen Demokratike’, organin zyrtar të Partisë Demokratike. Ditët e fundit, një faqe e re online paralele si dhe një llogari në rrjetin social Facebook, janë hapur në emër të Rilindjes Demokratike. RD-ja paralele duket se kontrollohet nga Blendi Kasmi, kryeredaktori i Gazetës ‘Rilindja Demokratike’. 

Blendi Kasmi është rreshtuar në krah të Berishës. ‘RD’-ja paralele që kontrollohet prej tij për llogari të Berishës mban të njëjtat simbole si ‘RD’-ja zyrtare. Faqja zyrtare e ‘RD’-së, bashkë me llogarinë zyrtare në rrjetet sociale (rd.al dhe Rilindja Demokratike) kontrollohet nga Lulzim Basha, pasi në këtë faqe pasqyrohen qëndrimet e Bashës dhe të mbështetësve të tij, ndërsa nuk gjejnë pasqyrim qëndrimet e Berishës dhe grupit të tij. Ndërsa ‘RD’-ja paralele e Berishës pasqyron vetëm qëndrimet e Berishës, grupit të tij, sulmet ndaj Lulzim Bashës dhe SHBA-ve. 

Krahas dublimit të ‘RD’-së, ka disa sinjale që ngrenë dyshime se Sali Berisha mund t’i ketë ‘rrëmbyer’ Lulzim Bashës edhe institucionin e Avokatit të Popullit. Përfaqësues të këtij institucioni, i cili sipas Kushtetutës duhet të jetë i pavarur dhe që mbron të drejtat e të gjithë qytetarëve, shfaqen në rolin e analistëve në televizionin që kontrollohet nga Familja Berisha, televizion i cili është kthyer në një armë nga Berisha kundër Bashës. 

Institucioni i Avokatit të Popullit iu dha opozitës në maj të vitit 2017 në kuadër të marrëveshjes Rama-Basha, për të nxjerrë PD-në nga çadra. Basha emëroi në krye të Avokatit të Popullit, Erinda Ballancën, ish bashkëshortja e analistit Andi Bushati. Ballanca njihet jo vetëm për pasuri përrallore, por edhe si ish-avokate e Sali Berishës, por edhe vjehrrit të Lulzim Bashës për pallatin e shembur në Vlorë. Me djegien e mandateve dhe bojkotimin e zgjedhjeve të 2019, Avokati i Popullit ishte i vetmi pushtet që i kishte mbetur PD-së. 

Ndërkaq, dita e nesërme është afati i fundit që Sali Berisha i ka lënë Lulzim Bashës për t’u larguar nga selia e PD-së bashkë me lindershipin. Basha i është përgjigjur duke ‘fortifikuar’ më tej selinë, duke i paraprirë një sulmi të mundshëm të Berishës, i cili si gjithnjë nxjerrë në skenë mbështetësit e tij. Krahas betejës fizike për selinë, Berisha dhe Basha kanë nisur edhe një betejë në gjykatë, për legjitimimin e statuteve. 

Sali Berisha ka dërguar në gjykatë për konfirmim statutin që miratoi në Kuvendin e 11 dhjetorit 2021, një Kuvend i mbledhur në mënyrë të paligjshme dhe në bazë të rregullave të sajuara nga Berisha. Në gjykatë për konfirmim ka dërguar edhe Lulzim Basha statutin e ndryshuar të PD-së, ndonëse 5 muaj më vonesë. Konflikti në PD nisi në 9 shtator 2021, ditën kur Lulzim Basha, pas një ultimatumi nga SHBA, pezulloi Sali Berishën si anëtar të grupit parlamentar të PD-së, për shkak se ishte shpallur non grata për korrupsion madhor, shantazh ndaj drejtësisë dhe minim të demokracisë. 

RD-ja zyrtare 

RD-ja e Berishes

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?