Abu Mohammed al-Jolani, udhëheqësi i ish-grupit xhihadist Hayat Tahrir al-Sham (HTS) që përmbysi presidentin sirian Bashar al-Assad, njoftoi se forcat opozitare në vend do të shpërbëhen dhe luftëtarët e tyre do të bashkojnë forcat me ushtrinë e rregullt.
"Fraksionet do të shpërbëhen dhe luftëtarët do të trajnohen për t'u bashkuar me radhët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të gjithë do t'i nënshtrohen ligjit", tha Jolani, i cili tani përdor emrin e tij të vërtetë Ahmed al-Sharaa, në Telegram, raportuan mediat arabe. Në Damask mësohet se ka mbërritur tashmë edhe një delegacion francez.
Gjithashtu Kreu i koalicionit të dominuar nga islamistët që mori pushtetin në Siri, njoftoi një ditë më parë (16 Dhjetor) se grupet do të "shpërndahen" dhe luftëtarët e tyre do të integrohen në ushtrinë e fuqisë së re që përmbysi Bashar al-Asad, raporton media.
"Grupet do të shpërbëhen dhe luftëtarët do të përgatiten për t'u bashkuar me radhët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të gjithë do të jenë nën ligj".
Abu Mohammed al-Jolani, tha edhe se një "kontratë sociale" midis shtetit dhe të gjitha feve në vend ishte e nevojshme për të siguruar "drejtësi sociale".
“Siria duhet të mbetet e bashkuar dhe duhet të ketë një kontratë sociale midis shtetit dhe të gjitha feve për të garantuar drejtësinë sociale”, u shpreh Jolani.
Nga ana tjetër, raportohet nga transmetuesi saudit Al-Arabiya, se "forcat ruse në portin e Tartus po përgatiten të tërhiqen dhe të largohen nga Siria brenda disa orësh". Ditët e fundit disa media kishin raportuar se Rusia po reduktonte praninë e saj në vend, pas rënies së presidentit Bashar Assad, një aleat i Moskës.