Lufta në Ukrainë/ Diplomati Lauka: Po nënvlerësohet fuqia e Rusisë! Pamjet e masakrës në Bucha nuk janë të panjohura për ne shqiptarët

20 Prill 2022, 12:28| Përditesimi: 20 Prill 2022, 12:36

  • Share

Ish ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka ka folur për luftën në Ukrainë që ka mbërritur në ditën e 56-të, duke thënë se pamjet nga Bucha janë të ngjashme me masakrën në Kosovë në vitin 1999. Në një intervistë në “Sot Live në Shqipëri” me gazetarin Andi Kapxhiu në Report Tv, diplomati Lauka tha se është moment i vështirë për popullin ukrainas, por deri tani nuk ka luftë e vërtetë sepse nuk ka përballje frontale të dy ushtrive.

“Mendimi i parë që të vjen në mendje është tragjike sepse po vriten njerëz, natyrisht ukrainas më shumë sepse janë përballë fuqisë ruse, por edhe rusë nuk janë vrarë pak. Kurse ukrainasit, ushtri, civilë, fëmijë, keni parë dhe në Bucha flitet për masakër, gjenocid të vërtetë, skena që për ne nuk janë të panjohura sepse i kemi përjetuar në vitin 99 por edhe më përpara, gjenocidi serb. Është një moment shumë i vështirë, në radhë të parë për popullin ukrainas por edhe një sfidë shumë e madhe për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ajo Europë që ishte para 24 shkurtit, nuk është më sepse tashmë kemi një luftë të nxehtë. Deri tani është folur për Luftë të Ftohtë nr.2. Ndonjë akademik ka përdorur termin paqja e ftohtë, por jo luftë e nxehtë. Luftë e vërtetë është kjo. Deri tani, nuk kemi parë ende luftë frontale të dy ushtrive”, tha Lauka.

I pyetur nëse mund të kemi luftë frontale në ditët e sotme, Lauka u shpreh se është pesimist për Ukrainën sepse po nënvlerësohet fuqia e Rusisë.

“Duhet të nisemi të paktën nga deklaratat zyrtare të Kremlinit. Më 24 shkurt ka mbajtur fjalim para kombit dhe e quajti një operacion special ushtarak, imitim i operacionit të NATO-s në Jugosllavi. Edhe atëherë NATO e pati deklaruar ‘ndërhyrje për çmilitarizimin e regjimit të Millosheviçit’. Ai pati bërë 4 luftëra dhe kjo e Kosovës ishte e fundit, pra të mos ishte në gjendje të ndërmerrte tjetër agresion.

Dhe ky këtë thotë, objektivi është demilitarizim, denazifikim  dhe neutralitet. Tani i ka shtuar edhe çlirimin e Donbasit. Janë disa aspekte të errëta për publikun. Ka një mendim të gabuar që nuk jam dakord, jam pesimist për Ukrainën sepse këtu i mëshohet shumë që po shkatërrohet Rusia, do të shpërbëhet etj.

Unë jam pesimist sepse Rusia është një fuqi që për fat të keq është nënvlerësuar dhe po nënvlerësohet nga Perëndimi. Po nënvlerësohet në mënyrë të habitshme, unë e kam quajtur letargji strategjike të Perëndimit. Perëndimi në radhë të parë është Amerika, sidomos për anë strategjike sepse Europa nuk kafshon dot”, tha Lauka.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?