Gent Sejko

Lufta në Ukrainë do të japë goditje mbi ekonominë shqiptare, Sejko: Rritja e çmimeve do të vijojë edhe për dy vitet në vijim, BSH rrit normën bazë të interesit me 1 %

25 Mars 2022, 13:55| Përditesimi: 25 Mars 2022, 13:59

  • Share

Lufta në Ukrainë dhe reagimi i shteteve apo institucione për të mbrojtur qytetarët ka qenë në fokus të diskutimeve gjatë takimit që guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko zhvilloi me delegacionin e Bankës Botërore.

Takimi u zhvillua në kuadër të Misionit të Sektorit Financiar, me një fokus të veçantë në zhvillimet në këtë sektor dhe aksesin në financë.

Takimi nisi me një vlerësim të situatës makroekonomike dhe të sektorit financiar në Shqipëri, nën dritën e zhvillimeve botërore dhe konfliktit Ukrainë-Rusi. Guvernatori Sejko vlerësoi se tensioni gjeopolitik do të japë goditje mbi ekonominë shqiptare, megjithatë sipas tij ekonomia do të vijojë të rritet gjatë vitit 2022 e në vazhdim.

Më tej, Guvernatori shtoi se inflacioni ka shfaqur tendencë rritëse gjatë tremujorit të parë të vitit dhe parashikimet e Bankës së Shqipërisë vlerësojnë se ai do të qëndrojë mbi objektiv gjatë pjesës më të madhe të dy viteve në vijim. Në këtë kuadër, Banka vendosi të përshtatë nivelin e stimulit monetar në ekonomi, duke rritur normën bazë të interesit në nivelin 1.0%.

Nga ana tjetër, veprimtaria e sektorit bankar zhvillohet në mënyrë normale, me tregues të mirë financiarë, bilance likuide e të shëndetshme, trend rritës të kreditimit dhe rënie të kredive me probleme.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore vlerësuan kontributin e Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit.

Në përfundim, Guvernatori Sejko dhe përfaqësuesit e Bankës Botërore diskutuan mbi vazhdimësinë e projekteve të ndërmarra dhe asistencës teknike të nevojshme për mbylljen me sukses të tyre.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?