Lufta në Ukrainë, rritje abuzive e miellit nga tregtarët e prodhuesit! Qytetarët nxitojnë të blejnë miell: Rezerva për 3 muaj

28 Shkurt 2022, 16:18| Përditesimi: 28 Shkurt 2022, 19:58

  • Share

Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës ka nxitur rritjen abuzive të çmimit të miellit në vend. Report Tv ka kryer vëzhgim në Korçë, Fier e Kukës ku prodhuesit pranojnë rritjen me 6 lek për kg në tregun e shumicës. Furrtarët thonë se me çmimet abuzojnë tregtarët, ndërsa qytetarët të frikësuar po nxitojnë të sigurojnë rezerva për 3 muaj.

Çmimi i miellit po rritet në mënyrë të frikshme! Me justifikimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, rritje ka pësuar dhe prodhimi vendas. Nga një vëzhgim i Report Tv në Korçë rezulton se fabrikat që furnizohen me grurë në fushat e juglindjes e kanë shtrenjtuar miellin me 6 lek për kg.

'Eshtë rritur me 5-6 lek për kg dhe kërkesa është e madhe nga konsumatorët. Është rritur çmimi i miellit se është rritur dhe çmimi i grurit'- tha një tregtar.

Kështu një thes miell 25 kilogramësh kushton 1500 lek, ndërsa para një jave ishte 1350 lek. Pronari i fabrikës së miellit është kontradiktor në shpjegimet që jep. Ai shprehet se është rritur çmimi i grurit ne treg por nga ana tjetër pranon se fermerët po e mbajnë grurin në stok.

"Ne kemi dhe problemin me fshatarët se nuk e sheshin grurin thonë do e shesim muajin tjetër. Është bërë dhe psikologjike. Interesi i qytetarëve është rritur se dëgjojnë në Tv se lufta do ndikojë, faktikisht po rritet. Derisa kërkesa është më e madhe se oferta normal që do rritet. Njerëzit po i vënë rezervat. Këto rezervat që ne kemi këtu njerëzit po i marrin po i vënë në shpi, kështu që ne s'do kemi gjendje për 3 muaj".- tha Ronald Dalipi, pronar një fabrike mielli në Korçë.

Pasojat po reflektohen tek furrat e bukës. Furrtari nga Fieri Kajo Hallkaj tha se mielli me shumicë është rritur me 5 lek/kg, ndaj kërkon që shteti të marrë masa për të ndalur abuzimin që sipas tij vjen prej tregtarëve dhe importuesve.  

"Mos të hapet panik për grurë dhe miell se janë plot rezervat e shtetit. Problemi është se sapo bie lufta, ngrihet çmimi. Duhet të rritet kontrolli i shtetit. Prej dje është rritur 5 lekë/kg! Nga 58 që e merrja unë është bërë 63 lek/kg.  Miell ka por çmimet lëvizin. Këta të biznesit e bëjnë lojë. Mielli vjen nga Ukraina dhe Rusia dhe Serbia. Prodhimi në vend nuk ka garanci që të merret. Nuk funksiono shteti. Siç e ka Serbia që i merr grurin fshatarit me të njëjtin çmim. Është ngritur letra, kripa, vaji, gazi. Të gjitha këto shkojnë në kosto".- tha Hakllaj.

Kjo situatë ka shkaktuar frikë dhe pasiguri tek qytetarët që nxitojnë të shtojnë rezervat e miellit për 3-4 muaj e ardhshëm. Banorët e Kukësit thanë se një kuintal miell është rritur me 200 lekë që nga dita e nisjes së luftës, megjithatë asnjëri prej tyre nuk ka një faturë tatimore.

"Nga lufta ka ardhur rritja e çmimit, një ditë përpara ka qenë mielli dy mijë lek më lirë sot ka shkuar 70 mijë kuintali. Interes të madh në masë marrin nga 10-15 thasë se janë në panik. Në fshatra ka kryesisht interes, në qytetin e Kukësit më pak".- u shpreh një banor.

Nëse Autoriteti i Konkurrencës dhe Tatimet nuk ndërhyjnë kjo do të reflektohet në rritjen e çmimit të bukës dhe të gjitha produkteve të brumit.

Shqipëria importon 70% të grurit nga Rusia.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Fusha: 01/03/2022 00:08

    Mbillni fushat o milet

    Përgjigju
  • Gripi: 28/02/2022 21:44

    Ne raste lufte spekulantet ekzekutohen dhe malli konfiskohet. Ketu u shpall gjendja e luftes per shkak te pandemise Sars Covud 19 dhe cfare ndodhi? Spekulime skandaloze me cmimet, me tenderat e barnave dhe msterialeve mjekesore. Pas dy vitesh disa nga pergjegjesit pronare deposh farmaceutike, me pare u liruan sesa u arestuan. Sekuestrim, kofiskim? Asgje!! Vazhdimi i procedimit penal? JO!!! Mielli, buka, nafta, vaji edhe sikur te kapin majat e spekulimeve asnje nuk do ndeshkohet. Ligji funksionon vetem per re vobektit, ata do i paguajne te gjitha. Shteti eshte shtet vetem per spekulanter, jo per viktimat e spekulimit qe eshte poulli.

    Përgjigju
  • LORA: 28/02/2022 21:21

    Eshte vrapi i njerzve,te vet-panikosur, qe ndez etjen e tregtarve per superfitime dhe sjell rritjen e cmimit. Mbaj mend ne mars 1997-te mjaft njerez qe benin kete sjellje dhe dyqanxhinj qe ferkonin duart.Por ushqimet nuk munguan ndonjehere ne dyqane. nga gezimi i fitimeve.

    Përgjigju
  • Lui: 28/02/2022 18:33

    Mire te na e bejne me abuzimet e cmimeve. Per aq kohe sa te kete budallenj si keta qe hapin panik, do kete dhe abuzues cmimesh. Nuk e kuptoj kete histeri me blerje mielli. A thua se do jetojne me gjate keta qe kane blere miell me shume. Harrojne keta qe nese rritet cmime, do rritet edhe prej ketyre qe blejne kaq shume (kot). Sepse ekonomia eshte e qarte. Cmimet ne 90% te rasteve percaktohen nga kerkese/oferta. Nese ka shume kerkese do rritet cmimi automatikisht.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?