Emmanuel Macron, Friedrich Merz, Keir Starmer dhe Donald Tusk

Bota

Lufta në Ukrainë, gara e liderëve evropianë: Samit paqeje para G7-ës

25 Maj, 10:33| Përditesimi: 25 Maj, 10:37

  • Share

Të parandalohet që Donald Trump të braktisë Ukrainën. Të shmanget rreziku që samiti i ardhshëm i G7-ës, që nis më 15 qershor në Kananaskis, të bllokohet nga një tërheqje e mundshme e Shtëpisë së Bardhë. Dhe që, në skenarin më të keq, më 17 qershor të dështojnë përfundimet e samitit, duke shembur edhe shpresat për mbrojtjen e Ukrainës. Kjo është arsyeja pse para dy netësh, përfaqësuesit diplomatikë të vendeve kryesore europiane (Franca, Italia, Gjermania dhe Britania e Madhe) zhvilluan një videokonferencë me Andrij Yermak, shefin e kabinetit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Ata ranë dakord për një objektiv të domosdoshëm, si për Europën, ashtu edhe për Kievin: duhet organizuar një samit mes Ukrainës dhe Rusisë në Gjenevë, dhe ai duhet zhvilluar përpara nisjes së takimit të G7-ës në Kanada.

Kjo iniciativë pasqyron shqetësimet e shprehura së fundmi nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni. Bëhet fjalë për një domosdoshmëri taktike, politike dhe diplomatike për të mbajtur presidentin amerikan të përfshirë në tryezën e negociatave. Sepse, sipas diplomatëve europianë, ekziston një rrezik real që SHBA të tërhiqet nga procesi. Trump e ka paralajmëruar publikisht një gjë të tillë dhe shenjat tregojnë se nuk është thjesht një kërcënim bosh. Pasojat do të ishin të rënda: mbështetja për mbrojtjen e Ukrainës do të zbehej ndjeshëm, duke vënë në rrezik të gjithë sigurinë në krahun lindor të Europës.

Duke qenë se ideja për një takim në Vatikan është hequr dorë për momentin, prioritet mbetet organizimi i samitit në Gjenevë përpara mbledhjes së G7-ës. Nga ana tjetër, Turqia po përpiqet që bisedimet të zhvendosen në Stamboll, duke u mbështetur në aftësinë e presidentit Erdogan për të komunikuar lehtësisht me të dyja palët. Megjithatë, vendet europiane këmbëngulin për Gjenevën dhe i kanë kërkuar Ukrainës të përdorë çdo kanal të mundshëm – zyrtar apo të tërthortë – për të kontaktuar me Moskën, duke përfshirë edhe ndërmjetësimin e vendeve të treta, me qëllim që të krijohet një terren i përbashkët për negociata.

Në këtë kuadër, shkëmbimi i fundit i të burgosurve shihet si një hap i rëndësishëm që duhet përsëritur. Gjeste të tilla humanitare mund të ndihmojnë në krijimin e një klime më të favorshme për bisedime dhe mund të shërbejnë si mbështetje për suksesin e G7-ës. Nëse negociatat nuk nisin, Trump rrezikon të tërhiqet. Por nëse samiti në Gjenevë mbahet dhe Rusia refuzon të marrë pjesë, kjo do të unifikonte më tej aleancën transatlantike. Dhe nëse do të kishte edhe hapa konkrete drejt paqes, Shtëpia e Bardhë do të vihej përballë presionit për të qëndruar aktive në proces./La Repubblica

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Beni: 25/05/2025 14:37

    Kur Putin kerkonte negociata perendimoret e detyruan Ukrainen te nxirte liigj qe mos te behej asnje lloj negociate me Rusine por vetem ta mposhtnin ne fushen e betejes , tani qe nuk ja arriten qellimit madje po hane dru nga Rusia kerkojne te bejne negociata palacot

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kërkon anulim të zgjedhjeve, si ju duket?