Joe Biden

Bota

Lufta në Ukrainë, Joe Biden: Trump kërkon ‘paqësim modern’ me Putinin! 100 ditët e para të detyrës? Nuk shoh asgjë triumfuese

7 Maj, 08:09| Përditesimi: 7 Maj, 08:29

  • Share

Ish-presidenti i SHBA-së, Joe Biden, në një intervistë për BBC, e cilëson presionin e administratës së Donald Trump mbi Ukrainën për të dorëzuar territor ndaj Rusisë si një "paqësim modern", duke paralajmëruar se një lëshim i tillë nuk do t'i ndalte ambiciet e presidentit rus Vladimir Putin. 

Në intervistën e tij të parë që nga largimi nga Shtëpia e Bardhë, Biden tha se çdo ide për t'i dhënë Rusisë territore si pjesë e një marrëveshjeje paqeje është e rrezikshme. Ai shtoi se Putin nuk do të ndalet vetëm me Ukrainën nëse i jepet një precedent i tillë. Biden gjithashtu shprehu shqetësimin për “krizën” në marrëdhëniet SHBA–Europë nën drejtimin e Trump, duke thënë se kjo mund të ndryshojë rrjedhën e historisë moderne.

Duke reflektuar mbi vendimin e tij për t’u tërhequr nga gara presidenciale 2024 pas një debati të dobët dhe krizës që pasoi në Partinë Demokrate, Biden tha se ishte një vendim i vështirë, por i drejtë. 

Ai mbrojti gjithashtu qëndrimin e tij për ndihmën ndaj Ukrainës, duke thënë se ofroi gjithçka që ishte e nevojshme për mbrojtjen e saj.

"Ne u dhamë atyre gjithçka që u nevojitej për të siguruar pavarësinë e tyre dhe ishim të përgatitur të përgjigjeshim, më agresivisht, nëse Putini do të ndërmerrte përsëri veprime", tha Biden. 

Biden kritikoi retorikën e administratës Trump, përfshirë thirrjet për të marrë Kanalin e Panamasë, Groenlandën dhe për ta bërë Kanadanë shtetin e 51-të të SHBA-së, duke i cilësuar këto si fyerje ndaj vlerave amerikane.

"Çfarë dreqin po ndodh këtu? Cili president flet ndonjëherë kështu? Ne nuk jemi kështu. Ne jemi për lirinë, demokracinë, mundësitë, jo për konfiskimin.", u shpreh Biden. 

Ai kritikoi gjithashtu qëndrimin e zyrtarëve si JD Vance dhe Pete Hegseth, të cilët kanë sugjeruar që Ukraina duhet të pranojë humbje territoriale për të arritur paqe me Rusinë. Biden paralajmëroi se dorëzimi i territorit do të dëmtonte besueshmërinë e NATO-s dhe do të shtynte shtete kufitare me Rusinë të bëjnë lëshime.

Biden kritikoi gjithashtu mënyrën se si administrata amerikane po e trajton presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Në përfundim, ish presidenti amerikan tha se historia do të gjykojë presidencën e re të Trump, por shtoi se nuk sheh asgjë “triumfale” në zhvillimet e 100 ditëve të para të tij në detyrë.

"Do ta lë historinë ta gjykojë këtë. Nuk shoh asgjë që të ketë qenë triumfuese.", tha Biden. 

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se zgjedhjet do ndikojnë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së?