Koreja e Veriut ka mohuar dërgimin e ushtarëve në Rusi për të mbështetur luftën e Moskës kundër Ukrainës.
Përfaqësuesi i Phenianit në Kombet e Bashkuara e quajti deklaratën e Koresë së Jugut "thashethem i pabazë".
“Për sa i përket bashkëpunimit të supozuar ushtarak me Rusinë, delegacioni im nuk ndjen nevojën për të komentuar mbi këto thashetheme të pabaza dhe stereotipe”, tha ai gjatë një takimi të komitetit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Agjencia e spiunazhit të Koresë së Jugut tha të premten (18 tetor) se Pheniani ka dërguar trupa në një "shkallë të madhe" për të mbështetur Moskën dhe se 1500 pjesëtarë të forcave speciale tashmë po stërviten në Lindjen e Largët Ruse dhe janë gati të luftojnë në Ukrainë.
Deklarata e Seulit kërkon të njollosë imazhin e Koresë së Veriut dhe të minojë marrëdhëniet legjitime, miqësore dhe bashkëpunuese midis dy shteteve sovrane", shtoi përfaqësuesi i Koresë së Veriut në Nju Jork.
Shtypi shtetëror i Koresë së Veriut nuk ka komentuar vendosjen e supozuar të trupave dhe Rusia nuk e ka konfirmuar atë. As NATO dhe Shtetet e Bashkuara nuk e kanë konfirmuar informacionin, megjithëse kanë theksuar se do të ishte një përshkallëzim i rrezikshëm në konfliktin ukrainas pas dërgesave të armëve nga Pheniani në Moskë.