Emmanuel Macron rikthehet të flasë me Vladimir Putinin pas një heshtjeje që zgjati gati tre vjet. Qëllimi është të rimarrë në dorë topin e dialogut me Kremlinin dhe të kufizojë hapjet e Shtëpisë së Bardhë ndaj Moskës. Një mision i vështirë. Sidomos për çështjen e Ukrainës, ku hapësira e manovrës për kreun e Elizesë është vërtet e ngushtë. Macron rithekson “mbështetjen e palëkundur të Francës për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës” dhe i kërkon Putinit “një armëpushim sa më pare” që të mundësojë “nisjen e negociatave mes Ukrainës dhe Rusisë për një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë të konfliktit”.
Por përgjigjja nga Kremlini gjatë dy orëve të telefonatës lë pak hapësirë për afrime: konflikti është rezultat i politikave të vendeve perëndimore që “për shumë vite kanë injoruar interesat e sigurisë së Rusisë” dhe kanë përdorur Ukrainën si “një trampolinë kundër Rusisë”. Për të arritur një marrëveshje duhet “të eliminohen shkaqet rrënjësore” dhe “të njihen realitetet e reja territorial”. E përkthyer, pushtimi duhet të bëhet status quo.
Nëse Parisi bën të ditur se dy presidentët kanë vendosur që “do të vazhdojnë të flasin edhe për këtë çështje”, është më shumë në Lindjen e Mesme dhe Iran ku dalin në pah konvergjencat. Macron dhe Putin nënvizojnë “përgjegjësitë e Rusisë dhe Francës si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së” për të gjetur një zgjidhje diplomatike për çështjen bërthamore iraniane që i imponon Teheranit të respektojë detyrimet e Traktatit për Mos-përhapjen, përfshirë aksesin e inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike në impiantet e veta. Një mbështetje për Moskën, e akuzuar se nuk ka mbështetur ushtarakisht Teheranin, dhe që i jep mundësinë të riafirmojë të drejtën e Republikës Islamike për të zhvilluar një program bërthamor paqësor.
Ndërkohë që Macron e informon Volodymyr Zelenskyn për telefonatën me Putinin, në terren regjistrohet një tjetër sulm ukrainas ndaj sistemit ushtarako-industrial në thellësi të territorit rus. Inteligjenca e Kievit konfirmon një sulm me dronë në qytetin Izhevsk, mbi një mijë kilometra nga kufiri, kundër fabrikës Kupol që prodhon sistemet e mbrojtjes ajrore Tor dhe Osa, si dhe dronë për ushtrinë ruse dhe që bën pjesë në grupin Almaz-Antey, kompani nën sanksione nga Departamenti i Thesarit amerikan që nga tetori 2024, dhe e ndëshkuar gjithashtu nga BE. Tre të vdekur dhe 35 të plagosur është bilanci, sipas autoriteteve ruse.
Forcat e Moskës po rrisin presionin. Sipas një analize të agjencisë AFP, bazuar në të dhënat e Institutit për Studimin e Luftës (ISW) me seli në SHBA, ushtria ruse ka bërë në qershor avancimin më të madh në territorin ukrainas që prej nëntorit, dhe ka përshpejtuar për muajin e tretë radhazi. Trupat e Moskës kanë pushtuar 588 kilometra katrorë të territorit ukrainas, pas 507 në maj, 379 në prill dhe 240 në mars. E gjitha kjo ndërkohë që Moska ka grumbulluar 50 mijë ushtarë më pak se 20 kilometra larg qytetit Sumy. Një situatë që Donald Trump po “e ndjek nga afër” por që nuk duket se e shqetëson (“të shohim çfarë do të ndodhë”), ndërsa nga Uashingtoni vjen lajmi se Pentagoni ka pezulluar dërgesat e disa raketave kundërajrore dhe municioneve të tjera precize për Ukrainën, nga frika se rezervat amerikane kanë rënë nën nivelin e sigurisë. Një vendim — shkruan Politico — që ishte marrë që në fillim të qershorit, por hyn në fuqi vetëm tani./Corriere della Sera
Komente
