Një tjetër paralajmërim nga ish-presidenti rus Dmitry Medvedev për Kievin: Anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të ishte një deklaratë lufte kundër Moskës dhe vetëm "maturia" nga ana e aleancës mund të parandalonte copëtimin e planetit.
Udhëheqësit e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut u zotuan në samitin e javës së kaluar të mbështesin Ukrainën në një "rrugë të pakthyeshme drejt integrimit të plotë euroatlantik, duke përfshirë anëtarësimin në NATO".
Medvedev, nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë tha se anëtarësimi i Ukrainës do të shkonte përtej një kërcënimi të drejtpërdrejtë për sigurinë e Moskës.
Medvedev, i cili u pa si një modernizues properëndimor gjatë presidencës së tij nga viti 2008 deri në 2012, e ka shndërruar veten në një mbrojtës të flaktë të ndërhyrjes ushtarake dhe tani po paralajmëron Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj se armatosja e Kievit mund të çojë në një "apokalips bërthamor".
Qeveria e Japonisë po finalizon marrëveshjen për t'i dhënë 3.3 miliardë dollarë hua Ukrainës duke përdorur interesin nga asetet e ngrira ruse.
Shuma korrespondon me 6% të paketës prej 50 miliardë dollarësh të premtuar së fundmi nga G7.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do t'i japin Kievit nga 20 miliardë dollarë secila, kurse Japonia, Britania e Madhe dhe Kanadaja do t’i japin së bashku 10 miliardë dollarë në total.
Vendimi do të miratohet në një takim të G7 në margjinat e samitit të G20 në Brazil në fund të këtij muaji.