Rrëzimi i avionit të Prigozhin, ekspertët gjejnë kutinë e zezë, dhe rekuperojnë 10 trupat e pajetë! Lukashenko e paralajmëroi

25 Gusht 2023, 07:29| Përditesimi: 25 Gusht 2023, 22:48

  • Share

Dy ditë pas rrëzimit të avionit me të cilin po udhëtonte kreu i Wagner, Prigozhin ekspertët e hetimit kanë arritur të gjejnë kutinë e zezë dhe të rekuperojnë 10 trupat të cilët kanë qenë në bord.

Lideri bjellorus Alyaksandr Lukashenko deklaroi sot se kishte paralajmëruar mercenarët rusë, Yevgeny Prigozhin dhe Dmitry Utkin, të bënin kujdes se mund të përballeshin me kërcënime me jetë, si dhe këmbënguli se luftëtarët e Wagnerit do të qëndrojnë në Bjellorusi.

Nga ana tjetër Kremlini tha se sugjerimet e Perëndimit se udhëheqësi mercenar rus Yevgeny Prigozhin ishte vrarë me urdhër të tij ishin një "gënjeshtër absolute".

Ende nuk është e qartë çfarë ka ndodhur. Autoritetet ruse heshtin dhe Moska zyrtare është tepër hermetike në publikimin e detajeve nga hetimet mbi shkakun e rënies së avionit privat ku është njoftuar se ka humbur jetën Evgenij Prigozhin.

Misteri
Ajo që rrëzoi avionin në të cilin Prigozhin po udhëtonte me komandantët e tjerë të Wagner ishte ndoshta një shpërthim në bord i shkaktuar nga një bombë ose pajisje tjetër e vendosur aty. Kjo është një hipotezë e një vlerësimi paraprak i inteligjencës amerikane.

Zëdhënësi i Pentagonit, Gjenerali Pat Ryder tha se raportet e shtypit se një raketë tokë-ajër rrëzoi avionin ishin të pasakta. Ai nuk pranoi të thoshte nëse SHBA dyshonin për një bombë apo besonin se përplasja ishte një atentat. Ndërkohë që Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar së fundmi deklaroi se Prigozhin “mund” të ketë vdekur, por nuk ka asnjë "provë përfundimtare".

Ndërsa ka hipoteza edhe për një ‘tradhtar’ të dyshuar: Artiom Stepanov, piloti personal i Prigozhin dhe themeluesi i kompanisë që zotëron aeroplanin. Ai nuk e drejtoi atë, por ai mund të ketë pasur akses në aeroplan.

Megjithatë, ka nga ata që ende i besojnë hipotezës se avioni është rrëzuar nga një raketë, ndërsa ka edhe shumë nga ata që insistojnë se vdekja e Prigozhin mund të jetë e trilluar.

Avioni që mbante themeluesin e kompanisë ushtarake Wagner dhe gjashtë pasagjerë të tjerë u rrëzua të mërkurën menjëherë pasi u nis nga Moska me një ekuipazh prej tre personash, sipas autoritetit rus të aviacionit civil.

Ora 22:43
Kievi: Dhjetëra të vrarë nga sulmi me dron në Krime

1692775679_ukrainedonetsk.jpg

Ukrainë pretendon se janë dhjetëra të vrarë nga sulmi i bërë nga inteligjenca ukrainase dhe Shërbimi i Sigurisë Civike në Kiev.

Sulmi dyshohet se goditi bazën ushtarake ku ndodhet brigada 126 e flotës ruse të Detit të Zi, e cila është e vendosur në fshatin Perevalne . Përveç të vdekurve, do të kishte edhe dhjetëra të plagosur dhe dronët do të kishin goditur edhe një depo municioni.

Ora 19:10
Moskë/ Hetuesit gjejnë kutinë e zezë të avionit ku mendohet se ishte Prigozhin, rekuperohen dhe 10 trupat që ishin në bord

1692867725_mbetje.jpg

Hetuesit kanë gjetur kutinë e zezë si dhe kanë arritur të gjejnë dhe trupat e 10 pasagjerëve të avionit që u rrëzua dy ditë më parë në Rusi në bordin e të cilit sipas autoriteteve të Moskës ishte kreu i Ëagner Yevgeny Prigozhin. Kjo është bërë e ditur nga burime të Komitetit Hetues të cituar nga agjencia Ria Novosti.

Ora 17:55
'Në djall – do të vdes!’ Lideri bjellorus e kishte paralajmëruar Prigozhinin dy herë që të kishte kujdes

Lideri bjellorus Alyaksandr Lukashenko ka thënë sot kishte paralajmëruar mercenarët rusë, Yevgeny Prigozhin dhe Dmitry Utkin, të bënin kujdes se mund të përballeshin me kërcënime me jetë, si dhe këmbënguli se luftëtarët e Wagnerit do të qëndrojnë në Bjellorusi.

Prigozhini besohet të ketë vdekur nga rrëzimi i një avioni privat në veri të Moskës më 23 gusht, rreth dy muaj pasi e udhëhoqi një kryengritje të dështuar drejt Moskës me grupin e vet mercenar, Wagner.

Lukashenka tha se e kishte paralajmëruar Prigozhin gjatë kryengritjes se do të “vdiste” nëse do ta vazhdonte marshimin drejt Moskës, ndaj të cilit Prigozhini ishte përgjigjur: “’Në djall – do të vdes’.

Lukashenka, i cili njihej me Prigozhinin shumë kohë më parë dhe është aleat i ngushtë i Rusisë, tha se Putini nuk ka asgjë të bëjë me rrëzimin e avionit.

“E njoh Putinin: ai kalkulon çdo ditë shumë qetësisht, madje avash. Nuk mund ta paramendoj se Putini e ka bërë atë, se Putini është fajtori. Është thjesht punë shumë joprofesionale”, tha Lukashenka.

Kremlini e mohoi të premten çfarëdo përfshirje në rrëzimin e avionit afër Moskës nga i cili besohet se u vra Prigozhin.

Lukashenka njoftoi, po ashtu, se luftëtarët e Ëagnerit do të mbesin në Bjellorusi

Ora 15:31
Zelensky dhe ministri i jashtëm turk diskutojnë për marrëveshjen e grurit

1692970344_kjd.jpg

Marrëveshja e grurit në Detin e Zi ishte një temë e rëndësishme e diskutimit gjatë një takimi të sotëm të Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe ministrit të jashtëm turk, Hakan Fidan.

Dyshja u takuan në Kiev për të diskutuar shumë çështje të rëndësishme.

Dalja e Rusisë nga marrëveshja e grurit, e cila kishte lejuar eksportin e sigurt të grurit ukrainas nga portet e Detit të Zi, ishte në krye të axhendës, si dhe "formula e paqes" e Ukrainës dhe përgatitjet e saj për një Samit Global të Paqes në vjeshtë.

Ankaraja po e shtyn këtë gjë për arsye që Moska të kthehet në marrëveshjen e Detit të Zi, e cila u ndërmjetësua nga Turqia dhe OKB në korrik të vitit të kaluar.

Kremlini tha se Vladimir Putin dhe homologu i tij turk Erdogan do të zhvillojnë bisedime personalisht së shpejti, por nuk tha se ku do të takohen liderët.

Ora 14:54
Ryabkov: Fjalët e Biden për vdekjen e Prigozhin janë të papranueshme

1692968006_98903.jpg

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, i quajti "të papranueshme" fjalët e presidentit amerikan Joe Biden në lidhje me vdekjen e themeluesit të grupit Wagner.

“Nuk jam i befasuar. Nuk i takon presidentit amerikan të flasë për ngjarje tragjike të këtij lloji", tha Ryabkov.

Ai tha se një fjalim i tillë nga Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, tregon përbuzjen e Uashingtonit për diplomacinë.

Ora 14:01
Peskov: Roli i Kremlinit në vdekjen e Prigozhin është një gënjeshtër absolute

1692964930_sk.jpg

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se roli i Kremlinit në vdekjen e Prigozhin ishte një gënjeshtër absolute.

Ai tha se janë hapur shumë spekulime ndaj kësaj ngjarjeje duke akuzuar Kremlinin. 

"Një gënjeshtër absolute, shumë spekulime në Perëndim", tha Peskov.

Ora 13:54
Sunak: Ka shumë mundësi që Prigozhin të ketë vdekur

1692964392_prig.jpg

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, deklaroi se Prigozhin me shumë mundësi mund të ketë vdekur gjatë rrëzimit të avionit.

Ai tha se ata po e ndjekin gjithë situatën e vdekjes së Prigozhin, duke punuar me aleatët e tyre për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë.

“Ka shumë mundësi që themeluesi i grupit Wagner Prigozhin të ketë vdekur në rrëzimin e avionit të mërkurën. Ne padyshim po e monitorojmë situatën nga afër, duke punuar me aleatët tanë për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur”, tha Sunak, duke cituar inteligjencën e tij britanike.

Ora 13:37
Kush është familja e Prigozhin: Djali luftoi për Wagner, vajza nën sanksionet e SHBA-së, nëna dhe bashkëshortja pronare të disa kompanive

1692963671_95.jpg

Kreu i grupit mercenar rus 'Wagner', Yevgeny Prigozhin, humbi jetën gjatë një aksidenti ajror, ku avioni i tij u rrëzua në rajonin Tver pranë fshatit Kuzhenkino.

Prigozhin ishte i martuar dhe kishte tre fëmijë, gruaja e Prigozhin është Lyubov Valentinovna Prigozhin, e cila është gjithashtu e pasur, ku pasuria neto e burrit të saj vlerësohet në 1 miliard dollarë, raporton Financial Time.

Ljubov është një farmaciste e cili posedon butikë të njohur si “Muzeu i çokollatës” në Shën Petersburg. Në vitin 2012 hapi spa “Kristal” në Shën Petersburg, e cila fitoi çmimin “Perfect Spa Project” vitin e ardhshëm. Ajo zotëron kompanitë "New Technologies SPA LLC" dhe "Agat", pjesë e grupit "Concord".

Ajo ka luajtur “role të ndryshme” në bizneset e bashkëshortit të saj, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes, ku fëmijët e Prigozhin kishin të gjithë aksione në kompanitë e babait të tyre dhe këto shpesh shkëmbeheshin mes tyre.

Në vitin 2019, vajza e madhe e Prigozhin, e lindur në vitin 1992, Polina ishte aksionere në kompaninë ruse “Lahta Plaza”, e cila në mars të 2022 u vu nën sanksionet e SHBA, ku kompania tashmë është nën kontrollin e djalit, Pavel, i lindur në vitin 1996. Ai ka dhe një vajzë të vogël që quhet Veronika, e cila ka lindur në vitin 2005.

Pavel, sipas postimeve të të atit në rrjetet sociale, ka luftuar për Wagner në Siri dhe ka marrë njohje nga grupi "Kryqi i Zi" për shërbime ushtarake.

Nëna e Prigozhin e cila quhet Violeta, është ish-mjeke dhe “pronare aktuale ligjore” e firmës “Concord Management and Consulting” që nga viti 2011, “Etalona” që nga viti 2010 dhe “Kreda”.

Violeta filloi mësimet e pikturës në vitin 2017 në moshën 77-vjeçare dhe një vit më vonë hapi galerinë e saj të artit “Colors of Life” në qendër të Shën Petersburgut. 

Ora 12:07
Pas 30 vitesh ndërprerje, rifillojnë fluturimet direkte Rusi-Azi Juglindore

1692957995_hs.jpg

Rusia dhe Mianmari, e cila ndodhet në Azinë Juglindore, do të rifillojnë fluturimet direkte në shtator të këtij viti, pas një ndërprerjeje gati 30-vjeçare, raporton Agjencia Federale Ruse e Transportit Ajror të cituar nga Ria Novosti.

"Agjencia Federale e Transportit Ajror i ka lëshuar Myanmar Airways International (Myanmar) një leje për të kryer fluturime në linjën Mandalay-Novosibirsk-Mandalay. Linja ajrore pritet të fillojë fluturimet nga 5 shtatori 2023. Fluturimet do të operohen nga avionët A319 dy herë në javë”, thuhet në deklaratë. 

Deri në vitin 1993, linja ajrore Aeroflot fluturoi për në Yangon, ku intenerari u inaugurua në vitin 1962.

Ora 11:50
Kievi: Grupi Wagner tërhiqet nga Bjellorusia

1692621395_ndf.jpg

Mercenarët e grupit Wagner po tërhiqen gradualisht nga Bjellorusia. 

Zëdhënësi i rojes kufitare, Andriy Demchenko, tha se numri i mercenarëve të Wagner-it është në rënie.

“Edhe para ngjarjeve të 23 gushtit, rrëzimit të aeroplanit të Prigozhin, ne kemi parë që numri i mercenarëve të Wagner-it është në rënie. Jo dukshëm, por pak nga pak numri i mercenarëve të Wagner në Bjellorusi po zvogëlohet”, tha Demchenko.

Ora 11:43
Lideri Çeçen për Prigozhin: Humbje e madhe, por kohët e fundit nuk kishte parë ose nuk donte të shihte atë që po ndodhte në Rusi

1692879406_prigozhin.jpg

Vdekja e Yevgeny Prigozhin "është një humbje serioze për shtetin", edhe pse kohët e fundit udhëheqësi Wagner "nuk kishte parë ose nuk kishte dashur të shihte atë që po ndodh" në Rusi. 

Në Telegram, lideri çeçen, Ramzan Kadyrovi e ka cilësuar Prigozhin si një "mik" të vjetër. 

"Yevgeny ishte shumë aktiv për moshën e tij, ai ishte një person i rëndësishëm kombëtar. Por kohët e fundit ai nuk e ka parë ose nuk ka dashur të shohë atë që po ndodhte në vend", shkroi Kadyrov. 

Ai gjithashtu ka shkruar se Prigozhin kishte një karakter të fortë dhe se bënte të pamundurën për të arritur qëllimin e tij në gjërat që ai donte të bënte.

“I kërkova që të braktiste ambiciet personale për hir të çështjeve me rëndësi të madhe kombëtare. Ai ishte një person me karakterin të hekurt dhe kishte dëshirën për të arritur qëllimet e tij”, shkroi Kadyrov.

Ora 09:42
Instituti i Studimit të Luftës: Wagner nuk do të jetë më një grup i pavarur ushtarak

1692784563_wagnerbritaniemadhe.jpg

Pas vdekjes së liderit të tij, Yevgeny Prigozhin, bashkëthemeluesit Dmitry Utkin dhe Valery Chekalov, grupi Wagner nuk do të jetë më në gjendje të mbijetojë si një strukturë ushtarake paralele pothuajse e pavarur. 

Kjo është shkruar nga Instituti për Studimin e Luftës (ISW) duke folur për vështirësinë që do të ketë grupi Wagner në përpjekjen për t'i rezistuar përpjekjeve të Kremlinit dhe Ministrisë së Mbrojtjes Ruse për të "dobësuar, nënshtruar dhe shkatërruar organizatën".

Duke cituar burime ruse, ISW shkruan se Kremlini ka refuzuar të paguajë qeverinë e Minskut për praninë e njerëzve të Wagner në Bjellorusi. 

Për më tepër, problemet financiare kanë çuar tashmë në një ulje të pagesave mercenare, duke detyruar disa luftëtarë të Wagner të japin dorëheqjen. 

Për institutin amerikan nuk është e qartë nëse Kremlini synon ta shpërbëjë plotësisht Wagnerin, ta mbajë atë gjallë si një organizatë shumë më të vogël apo ta nënshtrojë plotësisht ministrinë e mbrojtjes.

Ora 08:59
Biden dhe Zelensky diskutojnë trajnimin e F-16 për pilotët ukrainas

1692946778_kd.jpg

Presidenti i SHBA Joe Biden foli me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky për trajnimin amerikan të pilotëve ukrainas në trajtimin e avionëve F-16, i cili do të fillojë në shtator.

Këtë gjë e ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.

“Presidentët Biden dhe Zelensky diskutuan fillimin e trajnimit të pilotëve ukrainas dhe sigurimin e miratimit të shpejtë nga vendet e tjera për transferimin e avionëve F-16 të tyre në Ukrainë pas përfundimit të trajnimit”, tha ai.

Ora 08:31
Zyrtarët amerikanë: Përplasja e avionit mendohet se është 'shkaktuar qëllimisht'

1692860972_yevgenyprigozhinrusivladimirputin.jpg

Zyrtarët amerikanë besojnë se përplasja e avionit që mendohet se ka vrarë Yevgeny Prigozhin ishte shkaktuar qëllimisht.

Një vlerësim paraprak i inteligjencës amerikane zbuloi se avioni ishte rrëzuar qëllimisht, thanë zyrtarët amerikanë dhe perëndimorë. 

Një nga zyrtarët tha se shpërthimi ishte në përputhje me "historinë e gjatë të Vladimir Putinit të përpjekjes për të mbyllur gojën kritikëve të tij". 

Zyrtarët nuk dhanë detaje të mëtejshme se çfarë e shkaktoi shpërthimin. 

Ora 08:29
Britani: Prigozhin ‘mund’ të ketë vdekur, por nuk ka asnjë ‘provë përfundimtare’

1692879789_prigozhin.jpg

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar së fundmi deklaroi se Prigozhin “mund” të ketë vdekur, por nuk ka asnjë "provë përfundimtare".

Në përditësimin e tyre të përditshëm të inteligjencës britanike, thuhet se vdekja e tij do të kishte një "efekt thellësisht destabilizues" në grupin Wagner. 

"Saktësisht dy muaj pas rebelimit të Wagner Group, një avion i kompanisë ajrore Embraer u rrëzua pranë Tverit, midis Moskës dhe Shën Petersburgut. Autoritetet ruse pretendojnë se 10 persona në bord kanë vdekur, përfshirë edhe Yevgeny Prigozhin”, shkruhej në përditësimin e inteligjencës britanike.

Inteligjenca britanike shkroi se nuk kishte ende prova përfundimtare që Prigozhin ishte në bord dhe se dihej se ai ushtronte masa të jashtëzakonshme sigurie. Megjithatë, ka shumë mundësi që ai të ketë vdekur.

"Vdekja e Prigozhin me siguri do të kishte një efekt thellësisht destabilizues në Grupin Wagner. Atributet e tij personale të hiper-aktivitetit, guximit të jashtëzakonshëm, dëshirës për rezultate dhe brutalitetit ekstrem e përshkuan Wagnerin dhe nuk ka mundësi të krahasohen nga ndonjë pasardhës”, shkruhej në përditësimin e inteligjencës britanike.

Ora 08:15
SHBA njofton sanksione për dëbimin e të miturve ukrainas

1692944138_kj.jpg

Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar një seri sanksionesh kundër 11 individëve dhe dy subjekteve të lidhura me dëbimin e detyruar të të miturve ukrainas nga rajonet e pushtuara nga forcat pushtuese të Moskës. 

Një nga personalitetet e sanksionuara është Aymani Nesievna Kadyrova, nëna e të fortit të Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, një aleat i ngushtë i Vladimir Putinit. 

Një urdhër-arresti nga Gjykata Penale Ndërkombëtare varet mbi vetë presidentin rus për dëbimin e detyruar të të miturve ukrainas.

Ukraina vlerëson se deri më tani autoritetet ruse kanë dëbuar ose zhvendosur me forcë mbi 19,500 fëmijë nga shtëpitë e tyre që nga fillimi i pushtimit shkurtin e kaluar.

Rusia ka pranuar se ka transferuar mijëra fëmijë jashtë Ukrainës, por tha se kjo është bërë ekskluzivisht për të mbrojtur jetimët dhe fëmijët e braktisur nga lufta.

Ora 07:57
SHBA: Trajnimi i pilotëve ukrainas për F-16 fillon në tetor

1692943662_75.jpg

Shtetet e Bashkuara do të fillojnë trajnimin e pilotëve ukrainas në avionët luftarakë F-16 në tetor në bazën e Forcave Ajrore Morris në Tucson, Arizona. 

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Pentagonit, gjenerali Pat Ryder.

Ai gjithashtu nënvizoi se trajnimi për pilotët ukrainas nga SHBA-ja bie në kuadër të mbështetjes afatgjatë për Kievin dhe nuk duhet të jetë pjesë e përpjekjeve aktuale kundërofensive. 

Për pilotët me përvojë, trajnimi do të zgjasë afërsisht 5 muaj.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?