"I shikon gjithë këta dronë? Në fund të fundit, ata që përfitojnë më shumë nga kjo luftë janë kinezët, sepse shesin si tek ne ashtu edhe tek rusët përbërësit thelbësorë. Të gjithë blejmë nga Pekini". Fjalët e majorit Sergei — inxhinier dhe oficer 48-vjeçar i batalionit të forcave speciale "Taifun", i ngarkuar me koordinimin e njësive të dronëve në Donbas — na shoqërojnë gjatë vizitës në bunkerët e tyre të komandës dhe më pas në vijën e frontit në qytetin e shkatërruar nga sulmet ruse, Dobropillia.
Aty mbërrijmë pas rreth një ore e gjysmë me makinë nga Kramatorsku, nëpër rrugë ku xhenierët ukrainas po shtrijnë rrjeta të varura për të penguar dronët e armikut. Komandat e Moskës kishin nisur sulmin për të marrë Dobropillian më 11 gusht dhe prej asaj dite linja e llogoreve po ndryshon me shpejtësi në gjithë Donbasin verior.
Por, përpara se të mbërrijmë në zemër të qytetit, i cili në tre javë është shkatërruar nga bombardimet ruse në 40 për qind të tij dhe prej nga pjesa më e madhe e 28 mijë banorëve kanë zgjedhur të shpërngulen, ndalojmë në bunkerin e komandës së "Taifun". Ai është përshtatur në bodrumet e disa pallateve të epokës sovjetike dhe duke zbritur pak shkallë nëntokë hyn në laboratorin e luftës të së ardhmes. "Ne kemi dronë komercialë të punuar me karbon nga firmat ukrainase. Këtu pastaj i modifikojmë për nevojat e luftimeve: shtojmë pajisje për të vendosur bomba dhe i pajisim me bateri litiumi të fuqizuara", rrëfen Sergei.
Rreth tij janë teknikë dhe inxhinierë me bluza e pantallona të shkurtra. Punojnë sikur të ishin në një qendër kërkimore, në ekranet e kompjuterëve shfaqen faqe me formula matematike. A merrni edhe dronë nga aleatët e NATO-s? "Po, por nuk na hyjnë në punë, dalin të vjetruar. Tani jemi ne ukrainasit që po u mësojmë aleatëve në Europë apo në Shtetet e Bashkuara teknologjitë e luftës së re në qiell. Ne më shumë na duhen ndihma ekonomike për të blerë në treg më të mirën e elektronikës", përgjigjet ai duke treguar bateritë super të lehta dhe komponentët kinezë. Nga disa rafte nxjerr fijet optike dhe tufa kabllosh që shërbejnë për të kontrolluar dronët me tel. "Këta funksionojnë për të shmangur ndërhyrjet elektronike ruse. Kabllot tona arrijnë deri në 15 kilometra, ato të rusëve mbi 25 dhe ata janë shumë të aftë të ndërtojnë mekanizma që paralizojnë telekomandat tona. Sfida është pikërisht këtu: të jesh gjithmonë një hap përpara armikut. Dhe është një proces shumë i shpejtë. Mekanizmi, arma që sot duket vendimtare, brenda një muaji mund të rezultojë e tejkaluar. Ne jemi gjithmonë në ndjekje".
Në këtë laborator modifikojnë kryesisht dronë që kushtojnë nga 500 deri në 1.000 dollarë. Janë armë njëpërdorimëshe me rreze veprimi 10-15 kilometra. Ato të rusëve janë të ndërtuara prej alumini, më pak të sofistikuara, por shumë efektive kur hidhen në numër të madh. "Për çdo dron tonin rusët hedhin dhjetë; kanë edhe më shumë njerëz për të dërguar në patrulla", thotë oficeri. Prej disa ditësh të dy ushtritë po nisin matka, dronët "nënë" që mund të fluturojnë deri në 50 kilometra larg dhe mbajnë të varura në krahë dy "bij" kamikazë të vegjël. Objekte të shtrenjta: mbi 200 mijë euro për një matka të vetëm; deri tani po përdoren me kursim.
Rreth mesditës përshkojmë me xhip 20 kilometrat e fundit të rrugës së shkretë drejt Dobropillias. "Mjeti ynë ka jammer për të ndërhyrë në valët e dronëve rusë. Por teknika më e mirë është të udhëtosh me mbi 150 km/orë, pasi ata zakonisht nuk kalojnë 70", thotë shoferi, një 30-vjeçar nga Dnipro.
Kilometrat e fundit, 2-3, janë krejtësisht të zymtë. Qysh nga pallatet e parë dallohet qartë teknika e zakonshme ruse e tokës së djegur. Bombat planuese dhe artileria e tyre po shkatërrojnë zonën urbane me egërsi sistematike. Patrullat e tyre të avancuara janë vetëm katër apo pesë kilometra larg qendrës. Dobropillia po fillon të ngjajë me skenarët e parë në Bakhmut, Avdiivka, Pokrovsk apo Chasiv Yar, qytetet që ata tashmë i kanë pushtuar ose janë duke i marrë.
"Mbetet për t’u parë ku do t’i gjejë paratë Putini për të rindërtuar. Do t’i duhen miliarda", vëren ushtari që na shoqëron me mitralozin e ngritur drejt qiellit, për çdo rast nëse afrohen dronë.
Herë pas here kalon ndonjë civil i ngarkuar me thasë ushqimesh. Uji dhe drita janë ndërprerë, dyqanet kanë mbyllur dhe njerëzit ndihmohen nga ushtarët. "Ne i kemi ftuar të gjithë të evakuohen, por shumë të moshuar preferojnë të qëndrojnë, jetojnë si minj të fshehur në bodrume", shpjegon Sergei.
Edhe zona e tregut është goditur: thasë me patate, karota, konserva të hedhura në rrugica. Duken pëllumba dhe qen të ngordhur. Në një moment një rrotullim i frikshëm na bën të futemi me vrap në një dyqan të braktisur. Një i moshuar kalon me biçikletën e tij të mbushur me pako. "Nuk dua të flas me gazetarët", belbëzon me armiqësi. Një orë pas mbërritjes sonë vendosim të nisim rrugën e kthimit./Corriere della sera
Komente
