Kanë zgjatur rreth 1 orë bisedimet për armëpushimin mes delegacioneve ukrainase dhe ruse në Stamboll. Raundi i dytë u përmbyll me dakordësinë për një tjetër shkëmbim të të burgosurve ku bëjnë pjesë ushtarët nën 25 vjeç dhe ata të sëmurë, gjithashtu edhe trupat e 6 mijë ushtarëve të rënë në luftë.
Në tryezën e negociatave delegacioni Ukrainas ka kërkuar sërish një takim mes Zelenskyt dhe Putin dhe një armëpushim të pakushtëzuar 30 ditor kërkesë që është refuzuar nga ekipi i Moskës.
Në Vilnius ku ndodhej për një takim më liderë të vendeve të NATO-s, presidenti ukrainas Zelensky kërkoi që të takohet me Trump dhe Putin, ndërsa bëri thirrje për sanksione të tjera ndaj Rusisë nëse negociatat në Stamboll do të dështojnë. Raundi i dytë i negociatave në Stamboll u zhvillua një ditë pasi Ukraina zhvilloi operacionin SpiderUeb, ku shkatërroi në 4 baza ajrore ruse mbi 40 avionë bombardues.
Ndërkohë, një reagim ka ardhur edhe nga Shtëpia e Bardhë, ku bëhet me dije se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, beson se “kjo luftë është brutale nga të dyja palët dhe duhet të përfundojë.
“Shumë njerëz kanë vdekur”, tha zëdhënësja Karoline Leavitt.
Presidenti Zelensky i ka kërkuar Trumpit që të vendosë sanksione ndaj Rusisë për të “detyruar” armëpushimin
Ai ka akuzuar Moskën se po kërkon vetëm një “pauzë të shkurtër” në luftime dhe jo një armëpushim gjithëpërfshirës.
“Ne presim vërtet që Trump të marrë masa të forta. Ne presim që ai të mbështesë sanksionet për ta detyruar Rusinë të përfundojë luftën, ose të paktën të bëjë hapin e parë, që është një armëpushim”, tha Zelensky në një konferencë për shtyp.
Nga ana tjetër, në memorandumin e paraqitur sot negociatorëve të Kievit, Rusia ka vendosur heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme në Ukrainë dhe çmobilizimin e trupave si kusht për një armëpushim, raportoi agjencia Tass. Ndër "opsionet" e tjera të propozuara nga Moska është fillimi i tërheqjes së trupave ukrainase nga rajonet pjesërisht të pushtuara nga trupat ruse.
Sipas tekstit të memorandumit, të shpërndarë në agjencitë ruse, Moska i ofron Kievit dy mundësi për arritjen e një armëpushimi. Opsioni i parë është tërheqja e forcave ukrainase nga territori i katër rajoneve të pretenduara nga Rusia: Donetsk, Lugansk, Zaporizhzhia dhe Kherson. Opsioni i dytë përfshin, ndër të tjera, fillimin e çmobilizimit të forcave të Kievit, heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, përjashtimin e pranisë së trupave të huaja në Ukrainë, fundin e ndihmës ushtarake të huaj për Kievin dhe mbajtjen e zgjedhjeve brenda njëqind ditëve pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme. Kjo u specifikua nga agjencia Ria Novosti.
Delegacioni rus, u nis për në Stamboll kur ende nuk kishte asnjë lajm për sulmin ukrainas në bazat ajrore të dielën. Në Rusi, ishte e vështirë për të marrë informacion të saktë në kohë reale. Televizionet e mbajtur të heshtur lajmin e sulmit ndërsa në orët e vona të pasdites një deklaratë nga Ministria e Mbrojtjes foli për "një akt terrorist nga regjimi i Kievit", duke folur megjithatë për sulme të zmbrapsura dhe dëme minimale, ndërsa pranoi se disa njësi "kishin marrë flakë". Vladimir Putin ka thirrur me shpejtësi një mbledhje të këshillit kombëtar të sigurisë këtë të hënë. Reagimi i parë pas sulmeve Ukrainase ishte ai i Zëvendëskryetarit të Dumës ruse Konstantin Kosachev, që i cilësoi ukrainasit terroristë, për të cilët do të jepet një përgjigje pa mëshirë.
Delegacioni rus mbërriti të dielën në mbrëmje në Stamboll të Turqisë, dhe u kryesua nga Ministri i Kulturës, Vladimir Medinsky. Ndërkohë pas ditësh paqartësie për pjesëmarrjen e Ukrainës, presidenti Volodymyr Zelenskiy tha se ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov do të ulet me zyrtarët rusë në bisedimet e së hënës. Raundi i parë i bisedimeve solli shkëmbimin më të madh të të burgosurve të luftës, por ende nuk ka mirëkuptim për ndonjë konsensus se si do të ndalen luftimet. Sipas të dërguarit të SHBA-së, Keith Kellogg, të dy palët në Turqi do të paraqesinin dokumentet e tyre përkatëse me idetë e tyre për kushtet e paqes.
Komente
