Donald Trump dhe Vladimir Putin

Bota

Trump telefonatë me Putin: I vendosur të hakmerret ndaj Ukrainës për sulmet e fundit! Zelensky: Rusia ndien pandëshkueshmëri

4 Qershor, 18:37| Përditesimi: 5 Qershor, 00:27

  • Share

Presidenti Donald Trump ka zhvilluar këtë të mërkurë një bisedë telefonike 75 minuta të gjatë me presidentin rus, Vladimir Putin. Kreu i Shtëpisë së Bardhë tregon se Putin është i vendosur për t’iu përgjigjur ashpër ushtarakisht sulmeve të Ukrainës ndaj bazës ajrore ruse në Siberi dhe Urës së Krimesë. Gjithashtu, Trump bën me dije se Putin është shprehur i gatshën të marrë pjesë në diskutimet me Iranin, për armët bërthamore.

Trump paralajmëroi në një postim në rrjetet sociale se telefonata nuk do të “çonte në paqe të menjëhershme” midis Rusisë dhe Ukrainës. Agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti e Rusisë, tha se Putin i tha Trump se Ukraina është përpjekur të “prishë” negociatat dhe se qeveria në Kiev “në thelb është shndërruar në një organizatë terroriste”.

“Sapo përfundova një bisedë telefonike me Presidentin Vladimir Putin të Rusisë. Telefonata zgjati rreth një orë e 15 minuta. Diskutuam mbi sulmin ndaj avionëve rusë të ankoruar, nga ana e Ukrainës, si dhe për disa sulme të tjera që kanë ndodhur nga të dyja palët. Ishte një bisedë e mirë, por jo një bisedë që do të çojë menjëherë drejt Paqes.

Presidenti Putin u shpreh, dhe shumë fort, se do të duhet të përgjigjet ndaj sulmit të fundit mbi bazat ajrore. Diskutuam gjithashtu për Iranin dhe faktin se po mbaron koha për vendimin që Irani duhet të marrë në lidhje me armët bërthamore – një vendim që duhet të merret shpejt!

I theksova Presidentit Putin se Irani nuk mund të ketë armë bërthamore dhe, për këtë çështje, besoj se ishim në një mendje. Presidenti Putin sugjeroi se do të marrë pjesë në diskutimet me Iranin dhe se, ndoshta, mund të ndihmojë për ta çuar këtë çështje drejt një përfundimi të shpejtë.

Sipas mendimit tim, Irani po e zvarrit qëllimisht vendimmarrjen për këtë çështje shumë të rëndësishme dhe do të kemi nevojë për një përgjigje përfundimtare brenda një periudhe shumë të shkurtër kohe”,- shkruan Trump.

Biseda midis dy udhëheqësve shënon të parën që pas sulmit rus në bazat ajrore ruse më 1 qershor.  Trump i tha Putinit në telefonatë se SHBA-të nuk ishin paralajmëruar përpara sulmit, tha ndihmësi presidencial rus Yury Ushakov.

Në një postim në X, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky foli për sulmet në shkallë të gjerë ruse ndaj vendit të tij që nga pushtimi në shkallë të plotë i Moskës në vitin 2022.Zelensky shkruan në X se Rusia po vijon sulmet masive kundër Ukrainës dhe se çdo shfaqje dobësie nga Perëndimi i jep Kremlinit “leje të heshtur” për të kryer mizori të reja, duke shtuar se ai ndjen pandëshkueshmëri.

“Shumë kanë folur me Rusinë në nivele të ndryshme. Por asnjë nga këto bisedime nuk ka sjellë një paqe të besueshme, madje as nuk e ka ndaluar luftën”, shkroi Zelensky.

Më herët, Putin deklaroi se mbajtja e një samiti me liderin ukrainas Volodymyr Zelensky do të ishte e barabartë me “negociata me terroristë”. Ai akuzoi udhëheqjen politike të Kievit për organizimin e sulmeve ndaj trenave, të ndodhura natën mes së shtunës dhe të dielës në rajonet ruse të Bryansk-ut dhe Kursk-ut.

Ora 23:58
'Putin ndien pandëshkueshmëri', Zelensky reagon pas telefonatës së Trump me presidentin rus: Bota s’mund të tregojë dobësi

1748434318_volodymyrzelensky.avif

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka reaguar bisedës telefonike mes Donald Trump dhe Vladimir Putin. Zelensky shkruan në X se Rusia po vijon sulmet masive kundër Ukrainës dhe se çdo shfaqje dobësie nga Perëndimi i jep Kremlinit “leje të heshtur” për të kryer mizori të reja. Ai e cilësoi agresionin rus si të pandalshëm nëse nuk përballet me presion të vërtetë ndërkombëtar dhe theksoi se nëse liderët botërorë nuk e ndalojnë Putinin, atëherë ndajnë përgjegjësinë me të.

Faktet janë gjëra kokëforta. Që nga fillimi i këtij viti, ushtria ruse ka kryer sulme ndaj Ukrainës duke përdorur pothuajse 27,700 bomba ajrore, rreth 11,200 dronë Shahed, afërsisht 9,000 mjete të tjera ajrore pa pilot sulmuese, dhe mbi 700 raketa, përfshirë ato balistike. Dhe kjo vetëm në më pak se gjysmën e vitit.

Ky është ritmi i sulmeve ruse, dhe ata e kanë vendosur qëllimisht këtë intensitet që nga ditët e para të luftës së përmasave të plota. Rusia ka rindërtuar të gjithë shtetin, shoqërinë dhe ekonominë e saj për të qenë në gjendje të vrasë njerëz në vende të tjera në mënyrë masive dhe pa u ndëshkuar.

Shumë kanë folur me Rusinë në nivele të ndryshme. Por asnjë prej këtyre bisedimeve nuk ka sjellë paqe të qëndrueshme, madje as nuk ka ndalur luftën. Për fat të keq, Putini ndien pandëshkueshmëri. Edhe pas të gjitha sulmeve të tmerrshme të Rusisë, ai raportohet se po përgatit të ashtuquajtura “përgjigje” të tjera.

Kjo do të thotë se, me çdo sulm të ri, me çdo vonesë të diplomacisë, Rusia po i tregon gishtin e mesit gjithë botës — të gjithë atyre që ende hezitojnë të rrisin presionin ndaj saj. Por është Rusia ajo që duhet të kërkojë paqe. Është në Moskë që duhet të fillojnë të ndiejnë se lufta ka një kosto, një kosto të lartë, dhe më të lartën duhet ta paguajë agresori.

Nëse bota reagon dobët ndaj kërcënimeve të Putinit, ai e interpreton këtë si gatishmëri për të mbyllur sytë ndaj veprimeve të tij. Kur nuk ndien forcë dhe presion, por përkundrazi ndien dobësi, ai kryen gjithmonë krime të reja. E sheh një qëndrim të tillë si leje të heshtur: leje për mizori të reja, për sulme të reja, për vrasje të reja.

Pikërisht për këtë arsye, ne në Ukrainë jemi thellësisht mirënjohës ndaj kujtdo në botë që po përpiqet ta ndalë këtë luftë dhe të ndalë sulmet e Rusisë. Kujtdo që i thotë vrasësit se do të mbahet përgjegjës. Kujtdo që thotë se raketat dhe bombat ruse duhet të ndalin së marrë jetë të pafajshme.
Rusia duhet të rikthejë paqen.

Dhe sot, në Ditën e Përkujtimit të Fëmijëve Ukrainas të vrarë nga agresioni rus, ne ua kujtojmë të fuqishmëve të kësaj bote faktet. Nëse të fuqishmit nuk e ndalin Putinin, kjo do të thotë se ndajnë përgjegjësinë me të. Dhe nëse duan ta ndalin por nuk munden, atëherë Putini nuk do t’i konsiderojë më të fuqishëm.

Ora 23:47
Papa Leoni XIV pas telefonatës me Putinit: Rusia të bëjë një gjest në favor të paqes

“Pasditen e sotme ka pasur një bisedë telefonike mes Papës Leoni XIV dhe Presidentit Putin. Gjatë kësaj bisede, përveç çështjeve me interes të ndërsjellë, u kushtua vëmendje e veçantë situatës në Ukrainë dhe paqes. Papa bëri një apel që Rusia të ndërmarrë një gjest që favorizon paqen, duke theksuar rëndësinë e dialogut për realizimin e kontakteve pozitive mes palëve dhe për të gjetur zgjidhje për konfliktin,” – bëri të ditur zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni.

“U diskutua për situatën humanitare, për nevojën për të mundësuar ndihmat aty ku janë të domosdoshme, për përpjekjet e vazhdueshme për shkëmbimin e të burgosurve, si dhe për vlerën e punës që në këtë drejtim po kryen Kardinali Zuppi. Papa Leoni bëri gjithashtu një referencë për Patriarkun Kirill, duke e falënderuar për urimet e dërguara në fillim të pontifikatit të tij, dhe theksoi se vlerat e përbashkëta të krishtera mund të jenë një dritë për të ndihmuar në kërkimin e paqes, mbrojtjen e jetës dhe ndërtimin e një lirie të vërtetë fetare,” – shpjegon zëdhënësi i Vatikanit.

Ora 19:49
Putin telefonatë me Papa Leonin XIV: Dua paqe, por Kievi kërkon përshkallëzim të konfliktit

1749059454_elpapaleonxivyelpresidente.jpg

Papa Leoni XIV dhe Vladimir Putin

Presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi sot telefonatën e parë me Papën Leon XIV. Lajmi u bë i ditur nga Kremlini, i cili njofton se biseda u përqendrua në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë. Gjatë bisedës, presidenti Putin falënderoi Atin e Shenjtë për gatishmërinë e tij për të ndihmuar në arritjen e paqes dhe shprehu shpresën që Selia e Shenjtë të angazhohet më aktivisht në mbrojtjen e lirisë fetare në Ukrainë.

Sipas deklaratës së publikuar nga Kremlini, presidenti rus i tha Papës se “Rusia dëshiron paqen”, por theksoi se “autoritetet e Kievit po kërkojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit”.

Putin ritheksoi “interesin për arritjen e paqes përmes mjeteve politike dhe diplomatike”, por shtoi se për të pasur një “zgjidhje përfundimtare, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse”, duhet trajtuar “shkaku i vërtetë dhe i thellë i krizës”.

Gjatë telefonatës, kreu i Kremlinit denoncoi sërish veprimet e palës ukrainase, duke thënë se “regjimi i Kievit po përpiqet ta përshkallëzojë qëllimisht konfliktin, përmes sulmeve ndaj infrastrukturës civile në territorin rus”. Ai theksoi se “sulmi i fundit i qëllimshëm ndaj civilëve nga Ukraina është, sipas së drejtës ndërkombëtare, një akt i qartë terrorizmi”.

K.M/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tutu: 05/06/2025 08:56

    Zelenski palaco presodent , do te terheqe boten ne luften e tij…nderkohe ukrainasit mbushin boten si turist e bejne qejf.. gafa e tij me goditjen e bazave eshte e qellimshme per te sabotuar paqen

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin për rinumërimin e kutive të Qarkut Tiranë?