ODESSA- Tre bombardime ruse në tre ditët e fundit dhe pa mbrojtjet kundëraketore të vitit të kaluar. Odessa është në periudhën e saj më të keqe që nga fillimi i pushtimit.
"Çdo natë ka alarme dhe njerëzit vrapojnë poshtë në bodrumet dhe strehimoret - thotë Yulia, një infermiere që punon me ambulancat e shërbimit të emergjencës. "Kur dëgjon sirenën ke tre minuta për të zbritur nën tokë".
Këto janë bombardime të vërteta. Më parë, sistemi i mbrojtjes antiraketore rrëzonte shumicën dërrmuese të predhave ruse - vetëm një në pesëdhjetë kalonte. Tani ka rënë. Nga të dhënat e ministrisë së Mbrotjes ukrainase: kjo do të thotë që shumica e predhave ruse godasin diçka në tokë në vend që të shkatërrohen në fluturim. Kanë qenë pak më shumë se një mijë në javën e fundit.
Dhjetë ditë më parë, 8 kolegë të Julias u vranë, pasi Rusia kreu një "double tap" (Goditje e dyfishtë) në Odessa, teknika e dyfishtë e lëshimit të raketave për të goditur dhe ata që shpëtuan. Në fillim një raketë balistike bëri një vrimë në rrugën e qytetit, pastaj pati një pauzë për të lejuar që ndihmat të arrinin dhe njerëzit të ndalonin për të pare çfarë kishte ndodhur. Në atë pikë një raketë e dytë u hodh për të bërë më shumë dëm atyre që kishin mbledhur në atë zonë.
E bënin rusët në Idlib dhe Aleppo, në Siri, dhe madje edhe atëherë ishte dredhi e pamëshirshme, por Odessa është një qytet që supozohet se e konsiderojnë të tyren dhe duan ta marrin përsëri. Ka qenë një destinacion pushimesh në plazh për breza të tërë rusësh. Nëse do të kishte ende mbrojtje të mirë, rusët nuk do të mund të realizonin një goditje të dyfishtë, sepse raketa e parë ose e dytë do të kapej. Por këto janë kohë të reja.
Merita i shkon Partisë Republikane Amerikane, e cila në Shtetet e Bashkuara bllokoi një paketë ndihme që përfshin raketat e shtrenjta përgjuese që më parë shërbenin si mburojë. Dhe pyetja që bëjnë ukrainasit është: Nëse tani që presidenti amerikan është demokrat ne jemi të tillë, çfarë do të ndodhte nëse presidenti amerikan do të bëhej republikan?
Prej tre muajsh, qyteti jeton në një gjendje që inxhinierët e sistemeve do ta quanin dështim i butë: Situata përkeqësohet, por në këtë rënie e saj, Odesa përpiqet të ruajë një rend, të japë së pari pjesët më të sakrifikueshme.
Prej dy ditësh gjysma e tramvajve janë ndalur në depo dhe koha mes udhëtimeve është dyfishuar sepse një dron rus (në fakt iranian) goditi centralin elektrik që furnizon qytetin. Energjia nuk mjafton për të gjithë, ka ndërprerje të kontrolluara të energjisë me rotacion mes lagjeve dhe shumë drita janë fikur kudo.
Buletini komunal njofton ardhjen e dy nëndetëseve ruse në ujërat përpara Ukrainës, - që mund të jenë lëshuese raketash - sikur të fliste për një parashikim moti.
Zakonisht dronët dhe raketat nisen nga Krimea e pushtuar, sipas një rregulli lufte. Çdo territor i dorëzuar shndërrohet në një platformë të përparuar për bombardimet.
“Njerëzit janë të lodhur nga bombat çdo natë – thotë Roman, profesor universiteti, 47 vjeç – Ndërsa unë jam mësuar me to dhe fle mirë. Të tjerët nuk kanë nerva dhe janë në depresion. Shpesh vizitoj Kherson dhe jeta e tyre është më e vështirë se në Odessa”.
E në këtë situatë nga Moska vjen lajmi se drejtori i shërbimeve të brendshme sekrete ruse, Aleksandr Bortnikov, deklaron se përgjegjësi për masakrën në sallën e koncerteve Crocus në Moskë do të ishte gjenerali Budanov, shefi i inteligjencës ushtarake ukrainase
Një deklaratë krejtësisht e shkëputur nga realiteti, por kjo është drejtimi që ka marrë propaganda e Putinit. Ushtria ruse, me sugjerim të presidentit, mund të vendosë në çdo moment të nisë një bombardim edhe më të rëndë kundër Ukrainës si hakmarrje për sulmin e së premtes (22 mars 2024). I cili megjithatë është kryer nga sektori afgan i Shtetit Islamik, edhe pse Kremlini ka vendosur ta atribuojë atë Kievit.
Shenim: Artikulli u shkrua nga Daniele Raineri, La Repubblica, perktheu Shqiptarja.com