Një sulm rus gjatë natës në një burg në rajonin Zaporizhia të Ukrainës vrau të paktën 16 persona dhe plagosi të paktën 35 të tjerë, tha guvernatori rajonal.
Forcat ruse lëshuan dy raketa balistike Iskander-M dhe 37 dronë të llojeve të ndryshme, përfshirë atë Shahed, njoftoi Forca Ajrore e Kievit në Telegram.
Mbrojtja ajrore ukrainase rrëzoi 32 mjete ajrore pa pilot të armikut në veri dhe lindje të vendit me sisteme lufte elektronike. Pesë dronë dhe dy raketa goditën tre vende, ndërsa mbetjet nga avioni i rrëzuar ranë në dy vende.
Ndërkohë presidenti Volodymyr Zelensky vlerësoi vendosmërinë e presidentit amerikan Donald Trump, duke i dhënë Vladimir Putinit 10 deri në 12 ditë për t'i dhënë fund konfliktit në Ukrainë, nën kërcënimin e sanksioneve të ashpra.
"Një qëndrim i qartë dhe vendosmëri e fortë nga ana e (Presidentit Trump) në kohën e duhur, kur shumë gjëra mund të ndryshohen me forcë në favor të paqes së vërtetë", tha presidenti ukrainas në X.
Ndër të tjera ai theksoi se Ukraina mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe do të punojë pa u lodhur me Shtetet e Bashkuara për t'i bërë të dy vendet më të sigurta, më të forta dhe më të begata.
Komente
