Foto ilustruese

Bota

Lufta në Ukrainë/ SHBA, gati të ofrojnë inteligjencë dhe mbrojtje ajrore! Witkoff: Putini ka ofruar një propozim paqeje me fokus Doneskun

27 Gusht, 07:15| Përditesimi: 27 Gusht, 20:45

  • Share

SHBA ka shprehur gatishmërinë për të ofruar mbështetje kritike në sigurinë e Ukrainës pas një marrëveshjeje paqeje me Rusinë, përfshirë mjete të avancuara të inteligjencës, mbikëqyrjes dhe kontrollit të fushëbetejës. 

Financial Times citon burime amerikane dhe ukrainase që thanë se SHBA mund të marrin pjesë në një plan të përbashkët me vendet evropiane për të garantuar mbrojtjen e Ukrainës ndaj agresioneve të ardhshme. Donald Trump u tha udhëheqësve evropianë javën e kaluar se Amerika do të jetë pjesë e “koordinimit” të garancive të sigurisë për Ukrainën e pasluftës, diçka që Kievi e ka kërkuar për të penguar një sulm të ardhshëm nga Rusia pas një marrëveshjeje paqeje të mundshme. 

Amerikanët mund të ofrojnë “mundësues strategjikë” si avionë amerikanë, logjistikë, radarë tokësorë, koordinim për një mburojë ajrore evropiane mbi Ukrainë, duke përfshirë një zonë ndalim-fluturimi. Ndihma amerikane do të ishte vendimtare për mbikëqyrjen e armëpushimit dhe funksionimin e forcave perëndimore në terren.

Sipas Financial Times, një plan i vendeve perëndimore për sigurinë e Ukrainës pas përfundimit të luftës parashikon krijimin e një zone të demilitarizuar, të patrulluar nga paqeruajtës neutralë nga një vend i tretë i rënë dakord nga Kievi dhe Moska. Përfshin një kufi të fortifikuar të mbrojtur nga trupa ukrainase të trajnuara nga NATO dhe, më në brendësi, një forcë parandaluese të udhëhequr nga Evropa, si një linjë e tretë mbrojtjeje. 

Megjithatë, ndihma amerikane mbetet e kushtëzuar nga angazhimi i fuqishëm evropian për të dërguar dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë. SHBA-të nuk planifikojnë të vendosin trupa në terren, ndërsa disa zyrtarë të administratës Trump mbeten skeptikë ndaj përfshirjes në garancitë e pasluftës për shkak të rrezikut të përfshirjes në konflikte të ardhshme.

Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin thuhet se ka paraqitur një propozim paqeje për t'i dhënë fund konfliktit në Ukrainë, i përqendruar në rajonin lindor të Ukrainës, Donetsk, sipas të dërguarit special të Presidentit Donald Trump, Steve Witkoff. Ai deklaroi për Fox News se megjithëse propozimi rus është një hap i madh përpara, Ukraina nuk është e gatshme ta pranojë. 

"Rusët kanë vënë në tryezë një propozim paqeje. Ai përfshin rajonin e Donetskut. Mund të mos jetë i pranueshëm për ukrainasit, por askush nuk ka arritur kurrë kaq shumë përparim më parë, dhe është falë forcës së personalitetit të Trump dhe përpjekjes së tij për t'i dhënë fund konfliktit dhe vdekjes që kemi arritur në këtë pikë. Ne mendojmë se fundi është afër", tha Witkoff për Fox News. 

Trump po ushtron presion ndaj të dyja palëve për të arritur një marrëveshje, ndërsa dallimet mbeten të mëdha, veçanërisht për çështjet e garancive të sigurisë dhe territorit të pushtuar. Rusia kontrollon aktualisht thuajse të gjithë Luganskun dhe rreth 75% të Donetskut. 

Ora 12:44
Kremlini kundërshton sërish dërgimin e trupave evropiane në Ukrainë: Takimi Putin-Zelensky? Duhet të përgatitet mirë

1756291581_peskov.webp

Kremlini ka shprehur sërish kundërshtinë ndaj vendosjes së mundshme të trupave evropiane në Ukrainë në rast të një marrëveshjeje paqeje midis Kievit dhe Moskës. Kjo deklaratë u bë nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. 

"Ne jemi kundër kësaj. Nuk ka ushtri evropiane në përgjithësi, por ushtri nga vende specifike, dhe shumica e këtyre vendeve janë anëtare të NATO-s", tha zëdhënësi, duke theksuar se për Moskën, vendosja e infrastrukturës ushtarake të NATO-s në Ukrainë ishte një nga shkaqet kryesore të konfliktit.

Duke komentuar mundësinë e takimit mes Vladimir Putinit dhe Volodymyr Zelenskyt, ai tha se duhet të jetë "i përgatitur mirë", duke nënkuptuar se s'do të mbahet shpejt. 

 "Çdo kontakt i nivelit të lartë duhet të jetë i përgatitur mirë që të jetë efektiv", u tha Peskov gazetarëve. 

Delegacionet negociuese ruse dhe ukrainase janë "në kontakt", por ende nuk është caktuar asnjë datë për bisedimet e ardhshme.
 

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksidentet e rënda rrugore, a duhen ashpërsuar dënimet në Kodin Penal?