Studentët ukrainas do të kenë mundësi të vijojnë studimet e tyre në Shqipëri. Një mundësi që jeta akademike në Ukrainë të vazhdojë normalisht edhe pse nën sulmet e vazhdueshme të Rusisë.
Universiteti i Tiranës dhe ai i Mjekësisë firmosën këtë të mërkurë një marrëveshje kuadër me Universitetin Ndërkombëtar Evropian të Kievit, për të shkëmbyer studiues, profesorë e studentë të cilët duan të zhvillojnë aktivitetin e tyre në mënyrë të pandërprerë, në fusha si mësimdhënia, inovacioni dhe kërkimi shkencor.
“Kjo është një marrëveshje kuadër me një afat 5 vjeçar, jep mundësinë në të gjitha programet të shkëmbejnë studentë, profesorë, kërkues shkencorë. Jo me predispozitën që të marri studentë që sigurisht janë të mirëpritur. Kjo marrëveshje nuk përcakton numra dhe konkretisht si do veprohet, por hap mundësinë që sipas kërkesave dhe nevojave të komunikojmë në vazhdimësi, ardhjes apo shkëmbimeve”, tha Artan Hoxha Rektor i Universitetit të Tiranës.
Jeta akademike dhe institucionet arsimore në Ukrainë janë të prekura ndjeshëm nga agresioni rus, situatë të cilën e shpjegoi vetë rektorja e Universitetit Ndërkombëtar Evropian të Kievit.
“Jemi në vitin e katërt të luftës në Ukrainë dhe më shumë se 600 institucione arsimore janë dëmtuar nga sulmet. Çdo natë në Kiev ndjejmë sulmet e qindra dronëve dhe sigurisht shumë nga stafi akademik e kanë lënë përkohësisht Ukrainën, po ashtu edhe studentët. Është shumë e vështirë për ne dhe jemi shumë të mirënjohës për këtë bashkëpunim me shpresë që do jetë një bashkëpunim frytdhënës. Faleminderit Shqipërisë dhe shqiptarëve për mbështetjen”, tha Alla Navolokina, rektore e Universitetit Ndërkombëtar Evropian të Kievit
Ndërsa rektori i Universitetit të Mjekësisë Xheladin Draçini tregoi gatishmërinë për të mbështetur universitetin e Kievit kryesisht me praktikat mjekësore.
“Në këto kushte universiteti i mjekësisë është i gatshëm të presë veçanërisht për seksionet praktike, jo vetëm studentët e universitet përkatës port ë të gjitha universitetet. Natyrisht edhe në bashkëpunim me qeverinë shqiptare për të bërë të mundur akomodimin e tyre”, u shpreh Xheladin Draçini, rektor i Universitetit të Mjekësisë.
Rektori i universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, foli gjithashtu për mundësinë e spostimit të një pjese të aktiviteteve të universitetit të Kievit në kryeqytetin shqiptar.
Komente
