Presidenti i SHBA, Donald Trump ka paralajmëruar se mund t'i japë Kievit raketat Tomahawk. Presidenti amerikan nuk dha detaje për këtë çështje, por shtoi se do të donte t'u bënte disa pyetje ukrainasve se si kanë ndërmend t'i përdorin këto raketa dhe se nuk dëshiron një përshkallëzim me Moskën.
"Kam marrë një vendim.", tha ai shkurtimisht.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Kremlinit, i cili thotë se po pret sqarime nga Shtetet e Bashkuara mbi furnizimin e mundshëm të raketave Tomahawk në Ukrainë, duke deklaruar se armë të tilla teorikisht mund të mbajnë koka bërthamore. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, përsëriti se Moska do ta konsideronte furnizimin e Kievit me raketa Tomahawk një përshkallëzim serioz.
Një ditë më parë Rusia akuzoi Evropën dhe NATO-n se po bëheshin gati për përballje ushtarake. Një koment i tillë erdhi mes akuzave për ndëhyrje me dronë dhe avionë luftarakë në disa vende evropiane. Këtë deklaratë e bëri zëvendësministri i jashtëm rus Alexander Grushko teksa po fliste për një përshkallëzim të mundshëm.
"Rreziqet [e përshkallëzimit] janë shumë të larta. Ne shohim se Evropa është në rrugën e përshkallëzimit. Kjo reflektohet në ndihmën në rritje që vendet perëndimore po i ofrojnë Ukrainës, duke dërguar armë gjithnjë e më vdekjeprurëse. Kjo reflektohet edhe në situatën ushtarako-politike në krahun lindor të NATO-s, ku numri i ushtrimeve po rritet. Këto ushtrime po bëhen gjithnjë e më agresive, me skenarë të operacioneve ofensive të zbarkimit dhe rritjes së zbulimit ajror. ", u shpreh ai.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban thotë se Hungaria nuk ka asnjë detyrim moral që të mbështesë pranimin e Ukrainës në BE.
"Me gjithë respektin e duhur, Hungaria nuk ka asnjë detyrim moral për të mbështetur pranimin e Ukrainës në BE. Asnjë vend nuk ka përdorur kurrë shantazh për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe kjo nuk do të ndodhë as këtë herë. Traktati për Bashkimin Evropian nuk lë vend për paqartësi: pranimi vendoset nga shtetet anëtare, unanimisht", deklaroi kryeministri hungarez.
Më pas adreson akuza ndaj Zelenskyt:
"Me sa duket, Presidenti Zelensky dëshiron të vendosë se çfarë është më e mira për hungarezët. Ai po përdor përsëri taktikën e tij të zakonshme të shantazhit moral për të ushtruar presion mbi vendet që të mbështesin përpjekjet e tij të luftës. Populli hungarez e ka marrë vendimin e tij. Ata e hodhën poshtë me shumicë dërrmuese pranimin e Ukrainës në BE në një referendum. Nëse duan ta ndryshojnë këtë, fushata mediatike që ai po zhvillon kundër Hungarisë ndoshta nuk është mënyra më e mirë për të fituar miq", përfundoi ai.
Komente
