Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky thotë se është i gatshëm të ulet në tryezën e bisedimeve me Vladimir Putin për t'i dhënë fund luftës që filloi gati tre vjet më parë. Në një intervistë me gazetarin britanik Piers Morgan, të transmetuar në YouTube, Zelensky shpjegoi se ishte i gatshëm të angazhohej në bisedime të drejtpërdrejta me presidentin rus "nëse kjo është zgjidhja e vetme për të sjellë paqe për popullin e Ukrainës".
“Nuk do të jem i sjellshëm me të. Unë e konsideroj atë një armik. Dhe për të qenë i vërtetë, mendoj se edhe ai më konsideron mua të tillë”, tha lideri ukrainas.
Që prej kohësh, Zelensky ka theksuar rëndësinë e garancive të sigurisë për Kievin. Shteti i tij, thotë ai, ka nevojë për siguri. Zgjidhja ideale do të ishte anëtarësimi në NATO.
Megjithatë, anëtarësimi në Aleancën Atlantike nuk do të realizohet në afat të shkurtër, dhe në këtë kontekst, sipas Zelenskyt, Ukraina duhet t’i kthehet armëve bërthamore që kishte hequr dorë prej vitit 1994, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, në këmbim të garancive të pa realizuara të sigurisë të shënuara në Memorandumin e Budapestit, të nënshkruar edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia.
"Nëse procesi i anëtarësimit në Aleancë do të zvarritet për vite ose dekada, jo për shkak të Ukrainës, por për shkak të partnerëve të saj, Ukraina pyet se çfarë do ta mbrojë vendin gjatë kësaj kohe, çfarë mbështetje do të marrim? Çfarë armësh do të marrim? A do na japin armë bërthamore? A do të na japin mjaftueshëm raketa për të ndaluar Rusinë? Çfarë raketash mund të ndalojnë raketat bërthamore të Rusisë? Është një pyetje retorike," tha Zelensky.
"Na ktheni armët tona bërthamore, na ofroni sisteme raketore, na ndihmoni të financojmë një ushtri, zhvendosni trupat tuaja në ato pjesë të vendit tonë ku ne duam që situata të jetë e qëndrueshme", bëri thirrje më tej Zelensky.
"Në këtë mënyrë, populli do të jetë i qetë. Putin e pushtoi Ukrainën sepse kishte frikë se do të bashkoheshim me NATO-n. Mirë, Amerika thotë se Ukraina nuk mund të pranohet në NATO. Logjikisht, atëherë, Putin duhet të largohet nga vendi ynë."
Zelensky më pas shpjegoi se pse e kishte shmangur qëllimisht ceremoninë e inaugurimit të presidentit amerikan më 20 janar.
"Trump më ftoi në inaugurimin e tij, por e bëri këtë në një mënyrë të përgjithshme, siç ka bërë ndoshta me liderët e tjerë. Megjithatë, besoj se na duhet kohë për të folur për luftën; inaugurimi është një ditë e veçantë për presidentin dhe popullin amerikan. Thjesht, prania ime nuk ishte e përshtatshme", përfundoi ai.