Një situatë kritike është krijuar në termocentralin bërthamor të Zaporizhias për shkak të ndërprerjejes të energjisë elektrike prej shtatë ditësh për herë të parë që nga fillimi i pushtimit rus.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky përmes një mesazh-video tha se bombardimet e vazhdueshme ruse po pengojnë punimet për rivendosjen e lidhjeve me rrjetin elektrik, ndërsa një prej gjeneratorëve me naftë, që furnizon centralin me energji emergjente, ka ndaluar së funksionuari.
"Kanë kaluar shtatë ditë tani, dhe një emergjencë e tillë nuk ka ndodhur kurrë në termocentral. Situata është kritike. Për shkak të bombardimeve ruse, termocentrali u shkëput nga rrjeti elektrik. Ai funksionon me gjeneratorë dizel. Gjeneratorët dhe termocentrali nuk janë projektuar për këtë dhe nuk kanë funksionuar kurrë në këtë mënyrë për një kohë kaq të gjatë. Dhe ne tashmë kemi informacion se njëri nga gjeneratorët është jashtë funksionit", shtoi ai.
Zelensky theksoi gjithashtu se mbyllja e termocentralit bërthamor të Zaporizhias përbën "një kërcënim për të gjithë".
Zaporizhzhia, që ndodhet pranë qytetit Enerhodar përgjatë lumit Dnipro, është centrali më i madh bërthamor në Evropë, me gjashtë reaktorë, dhe ndodhet afër vijës së frontit. Të dyja palët, Ukraina dhe Rusia, akuzojnë njëra-tjetrën për sulme që rrezikojnë sigurinë bërthamore që prej vitit 2022, kur forcat ruse e pushtuan objektin.
IAEA ka mbajtur monitorë të përhershëm në centralin e Zaporizhzhias, si dhe në tre centralet e tjera bërthamore të Ukrainës.
Komente
