Bota

Lufta në Gaza/ Trump: Gjenocidi i vërtetë ndodhi në 7 tetor! Portugalia do njohë shtetin e Palestinës, Japonia kundër

20 Shtator, 17:01| Përditesimi: 20 Shtator, 17:28

  • Share

Presidenti amerikan nuk është dakord me përfundimet e komisionit të OKB, sipas të cilit Izraeli po kryen një gjenocid në Gaza. Gjenocidi, sipas Trump, është ai që u krye nga dikush më 7 tetor, duke iu referuar masakrës së kryer nga Hamasi dhe Xhihadi Islamik në Izrael në vitin 2023, ku u vranë mbi 1.200 persona. Këtë ua konfirmoi gazetarëve në zyrën ovale.

‘Po në 7 tetor, a bëri dikush gjenocid? Si mendoni për këtë? Ai ishte gjenocid në nivelin më të lartë. Ishte vrasje gjenocid ose mund ta quash si të duash. Bebe të vogla u ndanë në dysh, njerëzve iu prenë krahët dhe kokat. Edhe këto mendoj se janë gjenocid apo jo?’, tha Trump.

Trump u tha gazetarëve në zyrën ovale se të hënën në Nju Jork do të zhvillojë takime me liderët e shumë vendeve dhe se temat e diskutimit janë të pafundme.

Ndërkohë dy ditë para Asamblesë së përgjithshme shtete po vijojnë të rreshtohen pro dhe kundër njohjes së shtetit të Palestinës. Qeveria japoneze është rreshtuar me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara aleatit kryesor të Tokios dhe ka konfirmuar se nuk do ta njohë Shtetin e Palestinës në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që do të mbahet në Nju Jork.

Vendimi u konfirmua nga ministri i Jashtëm, Takeshi Iëaya, i cili gjithashtu deklaroi se Japonia do të ndërmarrë masa nëse Izraeli vazhdon të pengojë përpjekjet për zgjidhjen me dy shtete. Listës së shteteve që do të shpallin njohjen e shtetit të Palestinës në asamblenë e OKB në Nju Jorki u shtua Portugalia. Lajmi u konfirmua nga Ministria e Jashtme.

 Deklarata zyrtare e njohjes do të bëhet më 21 shtator, pak para mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, thuhet në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të ministrisë. Me Portugalinë, bëhen dhjetë shtete që synojnë të njohin Palestinën gjatë javës kryesore të Asamblesë së Përgjithshme. Procesin e njohjes e kanë nisur gjithashtu: Andorra, Australia, Belgjika, Kanadaja, Luksemburgu, Malta, Mbretëria e Bashkuar dhe San Marino.

S.B/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e re nis punën, besoni se do përmbushë pritshmëritë e qytetarëve?