Bota

Lufta në Rripin e Gazës/84 të vrarë, mbi 330 të plagosur në 24 orë

4 Shtator, 13:54| Përditesimi: 4 Shtator, 16:21

  • Share

Në 24 orët e fundit në Rripin e Gazës janë vrarë 84 palestinezë dhe 338 të tjerë janë plagosur. Ministria e Shëndetësisë në Gaza, nën kontrollin e Hamasit, sqaroi se 17 prej tyre janë vrarë ndërsa ishin në kërkim të ndihmave humanitare, ndërsa 31 të vrarë janë shënuar nga agimi I kësaj të enjteje. Tre nga viktimat e reja kanë ndërruar jetë për shkak të urisë dhe kequshqyerjes, duke e çuar numrin total të vdekjeve nga uria në 370, përfshirë 131 fëmijë.

Sipas përditësimit të fundit të ministrisë, 64.231 palestinezë janë vrarë dhe 161.583 janë plagosur nga forcat izraelite në Gaza që nga 7 tetori 2023.

Në një deklaratë zyrtare, Hamas njoftoi se është i gatshëm të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për t’i dhënë fund luftës dhe për të liruar të gjithë pengjet. Sipas kësaj deklarate, marrëveshja do të përfshijë: Tërheqjen e plotë të forcave pushtuese nga i gjithë Rripi i Gazës Hapjen e të gjitha pikave kufitare për hyrjen e mallrave dhe nevojave për popullatën dhe fillimin e procesit të rindërtimit. Gjithashtu, Hamasi rikonfirmon gatishmërinë e tij për të krijuar një qeveri kombëtare të pavarur të përbërë nga teknokratë.

Kryeministri izraelit reagoi me skepticizëm ndaj deklaratës së Hamasit. "Fatkeqësisht, kjo është një tjetër mashtrim mediatik nga Hamasi, që nuk përmban asgjë të re. Lufta mund të përfundojë menjëherë, por vetëm në përputhje me kushtet e vendosura nga Kabineti i Sigurisë: lirimi i të gjithë pengjeve; çmilitarizimi i plotë i Rripit të Gazës dhe çmontimi i arsenalit të Hamasit; kontrolli i sigurisë nga Izraeli mbi Rripin; dhe krijimi i një administrate civile alternative që nuk përbën kërcënim për Izraelin," deklaroi Netanyahu.

Kreu i qeverisë izraelite do të mbledhë kabinetin për të diskutuar situatën në Bregun Perëndimor këtë të enjte. Ai do të diskutojë me ministrat dhe bashkëpunëtorët kryesorë për të bërë një "vlerësim të situatës" në Bregun Perëndimor dhe për të vlerësuar mundësinë e zbatimit të sovranitetit izraelit në disa zona. Lajmi raportohet nga Times of Israel, duke cituar një burim qeveritar, sipas të cilit çështja e aneksimit nuk është në rendin zyrtar të ditës. Megjithatë, ministri i Financave dhe lideri i së djathtës ekstreme, Bezalel Smotrich, i cili do të jetë i pranishëm në takim, ka paraqitur dje një propozim për aneksimin e 82% të Bregut Perëndimor. Në fillim të këtij viti, Knesset-i (parlamenti izraelit) miratoi një mocion jo detyrues për këtë çështje me 71 vota pro dhe 13 kundër.

A.I/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me propozimin e Ramës për heqjen e depozitave të ujit nga pallatet?