Një oficer rus vrau një ushtar të rekrutuar 19-vjeçar, Artem Antonov, sepse refuzoi të shkonte të luftonte në Ukrainë. Ngjarja mësohet se ka ndodhur më 21 tetor në një kamp stërvitor, ku oficeri dyshohet se hapi zjarr ndaj të riut.
Rasti tronditës u zbardh nga ‘Important Stories’, që dokumentoi dëshminë e familjes së djalit.
Sipas dosjes së hetimit, Antonov, me origjinë nga Tatarstani, ishte dërguar për të përforcuar njësitë e pushkëve të motorizuara që mbulonin kufirin në rajonin Kursk të Rusisë.
Gjatë një mësimi mbi mënyrën e përdorimit të armëve, togeri - identiteti i të cilit nuk u bë i ditur - hoqi siguresën nga pushka e tij AK-12 dhe qëlloi me breshëri plumbash në drejtim të ushtarëve, duke lënë të vdekur 19 vjeçarin.
Familja e ushtarit pretendon se për shkak të refuzimit të tij për të nënshkruar kontratën për të shkuar në front, Antonov iu nënshtrua vazhdimisht torturave dhe abuzimeve.
I riu u kishte treguar miqve të tij në një postim të publikuar në rrjetet sociale - i cili u fshi menjëherë pas vdekjes së tij - se ishte rrahur me shufra hekuri dhe e kishin vënë në detyrë për tetë ditë rresht.
Të afërmit thanë se e dinë emrin e togerit që hapi zjarr, por kanë frikë ta bëjnë publike.
"Antonov "vendosi të sakrifikojë jetën e tij për atdheun", thuhet në një nekrologji të postuar në rrjetet sociale.
Foto: Artem Antonov
Komente
