Pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Lartë, konflikti i brendshëm në PD tashmë është në dorën e Apelit. Gjykata hodhi shortin që përcaktoi se trupa gjykuese që do ta marrë në dorë fatin e partisë më të madhe opozitare në vend do të përbëhet nga Alma Ahmeti relatore, Iliba Bezati dhe Elona Toro.
E ftuar në Report Tv, në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, anëtarja e Rithemelimit Adriana Kalaja, thotë se vula e PD-së nuk mund të shkojë te 10 persona, ndërsa akuzoi Ramën se ka ndërhyrë në vendimin e parë të marrë nga Gjykata e Apelit.
‘Rekursi i Komisionit të Rithemelimit është i bazuar në ligj, ka shkelje të dukshëm të ligjit nga ana procedurale. Pikëpyetjet që ngre Gjykata e Lartë. Bie më të njëjtën linjë me shqetësimet dhe pretendimet që kemi pasur ne. Një nga kriteret e shkarkimit të zonjës Blerina Muça ishte edhe ky vendim që ka pranuar si palë ankimuese një palë që nuk ka qenë në proces.
Gjykata e Lartë ka ngritur pikëpyetje shumë të rëndësishme. Tre zonjat e gjykatës së Apelit, nëse nuk do të ketë ndikim politik si herën e fundit. Ndërhyrjet e Ramës nëpërmjet drejtoreshës së tij dhe prania e Ambasadës së ShBA ishin ushtrim i ndikimit të paligjshëm që e detyroi gjykatën të merrte atë vendim.
Nuk mund të shkojë vula te 10 persona. Në këto procese ligjore gjykata bën rolin e noterit. PD reale të kandidojë në 61 bashki pa logo pa vulë dhe mori 510 mijë vota, ndërkohë 5 njerëz të mjerë vazhdojnë e qëndrojnë aty. Nuk godasim ne. Vula se bën partinë, e bën anëtarësia.'- tha Kalaja.
Skerdjan Dhuli, ish-anëtar i Këshillit të PD, thotë se çështja më shumë se ligjore është politike.
‘Nuk është më çështje ligjore, por politike. PD është ajo që mendojnë njerëzit. Ne nuk mund të ndahemi në një pikë që është esenciale. Njerëzit janë aty. Në 6 mars kuptova se ku është shumica e demokratëve. Nuk ka sens logjik dh ligjor tu thuash se nuk kanë partinë. PD e Berishës nuk mund ta lësh pa vulë, pasi ai është opozita Qytetarët janë të lidhur edhe me siglën e subjektit politik. Nuk mund tu themi elektoratit shkoni votoni siglën e Ilir Metës. Mua nuk më pëlqen farë që është kryetar Sali Berisha, do doja të kishte bërë rrotacion, por fakti është ky.’- tha Dhuli.
Nga ana tjetër analisti, Reldar Dedaj, e cilësoi vendimin e Gjykatës së Lartë si të drejtë, ndërsa shton se edhe mungesa e vulës ka penguar krijimin e një alternative.
‘Vendimi më i drejtë që ka marrë Gjykata e Lartë. Nuk ka më zgjatje. Më intereson që ky debat të përfundojë. Gjykata nuk del duke numëruar njerëzit, por sheh procedurën. Me kalimin e vulës ky debat mungon. Edhe mungesa e vulës e ka penguar krijimin e një alternative. Duhet të marrë fund kjo sfilitje e jashtëzakonshme e demokratëve. Pak rëndësi ka nga shkon vula! Demokratët kanë të drejtën që ky debat të marrë fund. Unë e respektoj vendimin e drejtësisë. Një subjekt që pretendon se është PD godet institucionet e drejtësisë.’- tha Dedaj.