Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu

Lufta/ Rrjedhja e informacioneve sekrete, arrestohet zëdhënësi i Netanyahut, opozita e sulmon: I paaftë! IDF bombardon Gazën, 30 të vdekur

3 Nëntor, 22:31| Përditesimi: 3 Nëntor, 22:38

  • Share

Gjyqtarët e Rishion LeZion kanë zgjatur paraburgimin e një zëdhënësi të zyrës së Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i dyshuar për rrjedhje të dokumenteve të klasifikuara, duke konfirmuar edhe arrestimin e tij.

Policia izraelite së bashku me Shin Bet dhe ushtrinë po kryejnë një hetim të përbashkët për një "shkelje të sigurisë kombëtare të dyshuar të shkaktuar nga dhënia e paligjshme e informacionit të klasifikuar".

Këtë e ka raportuar "Haaretz", duke saktësuar se një tjetër i dyshuar është liruar, por pa dhënë emra.

Katër çështje janë nën hetim: rrjedhja e dokumenteve tepër sekrete, qasja e një këshilltari pa leje sigurie në takime dhe zyra që duhet të ishin jashtë kufijve për të, neglizhenca në trajtimin e dokumenteve konfidenciale dhe përdorimi i dokumenteve, për të ndikuar në opinionin publik në lidhje me negociatat për një armëpushim në Gaza, në këmbim të lirimit të pengjeve.

Udhëheqësi i opozitës izraelite Yair Lapid akuzoi Benjamin Netanyahun gjatë një konference të përbashkët për shtyp, me presidentin e Unitetit Kombëtar Benny Gantz në Tel Aviv, shkruan "La Repubblica".

“Në rastin e rrjedhjes, Mbrojtja e Netanyahut është se ai nuk ka ndikim apo kontroll mbi sistemin që ai drejton. Nëse kjo është e vërtetë, ai nuk është i përshtatshëm. Ai nuk është i kualifikuar për të udhëhequr shtetin e Izraelit në luftën më të vështirë në histori”.

"Ky rast doli nga zyra e kryeministrit dhe hetimi duhet të shikojë nëse nuk është urdhëruar nga kryeministri. Nëse Netanyahu e dinte, ai është bashkëpunëtor në një nga krimet më të rënda të sigurisë në kodin e ligjit. Dhe nëse ai nuk e dinte se bashkëpunëtorët e tij të ngushtë po vidhnin dokumente, duke përdorur spiunë brenda IDF-së, duke falsifikuar dokumente, duke ekspozuar burime të inteligjencës dhe duke kaluar dokumente sekrete gazetave të huaja për të ndaluar tregtinë e pengjeve, çfarë di ai?”, shtoi kreu i opozitës izraelite.

Hamas: Të paktën 30 të vdekur në sulmin izraelit në veri të Gazës

Numri i të vdekurve nga sulmet e sotme izraelite (3 nëntor) në veri të Gazës është të paktën 30. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i agjencisë së mbrojtjes civile, Mahmud Bassal, duke saktësuar se “që nga agimi i sotëm, të paktën 17 qytetarë janë vrarë në sulmet izraelite kundër shtëpive dhe qytetarëve në Rripin verior të Gazës, duke përfshirë gjashtë në qytetin Beit Lahia dhe katër në Jabaliya. Mes tyre kishte gra dhe fëmijë”.

Mjekët në Ministrinë e Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi regjistruan 13 palestinezë të tjerë të vrarë në sulme të veçanta izraelite në Rripin jugor, duke përfshirë "katër fëmijë në lindje të Khan Yunis" dhe një grua dhe dy fëmijët e saj në lagjen lindore të Khirbet al-Adas në Rafah.

Muhammad Salha, drejtor i spitalit Al-Awda në Jabaliya, e përshkroi situatën si "të tmerrshme" dhe i vetmi kirurg i përgjithshëm i mbetur në veri të Gazës është në punë në spitalin e tij, ku më shumë se 70 përqind e plagëve kërkonin kirurgji urgjente.

Që nga 6 tetori, ushtria izraelite ka kryer një operacion të madh në veri të enklavës palestineze, veçanërisht në zonat e Jabaliya, Beit Lahia dhe Beit Hanoun për të parandaluar rigrupimin e militantëve të Hamasit.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?