Një marrëveshje paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë, eksperti i Çështjeve Ndërkombëtare Ledion Krisafi, e sheh të largët.
I ftuar ditën e sotme në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, ai tha se luftimet mes dy vendeve mund të vijojnë me vite.
‘Rusia ka kohë që po bënë disa përparime në territoret e Ukrainës. Të dyja palët duket se nuk do të arrijnë një marrëveshje paqe, Rusia vijon goditjet në Ukrainë dhe e anasjelltas dhe deri më tani duket se s’ka një përpjekje serioze për të arritur paqe. Është një luftë që mund të vijoj për muaj dhe mbase dhe vite të tjera', tha ai.
Ai tha se Ukraina po humbet shumë në këtë luftë. Sipas tij mund të vijë një moment që ushtria ukrainase nuk do të jetë në gjendje të mbajë vijën e frontit.
'Më shpejt u arrit paqja mes Iranit dhe Izareli sepse Irani ishte i dërrmuar, por në këtë rast as Ukraina nuk jep territore dhe as Rusia s’është në gjendje që të jap goditjen përfundimtare dhe duket se palët do të vijojnë luftimet. Në këtë pikë Ukraina është duke humbur në terren dhe mund të vijë një moment që ushtria ukrainase s’do të jetë më në gjendje të mbajë vijën e frontit’, tha ai.
Krisafi theksoi se ka një dobësim të mbrojtjes ajrore të Ukrainës ndaj sulmeve ruse.
‘Mundësit e mbrojtës së Ukrainës kanë rënë shumë ditët e fundit dhe kjo bëri që edhe Trump të bënte atë deklaratën ku tha se do të dërgonte raketa patriot në Ukrainë. Por kapja e raketave ruse nga Ukraina ka rënë shumë. Që do të thotë ka një rënie me 80%, pasi shumica e raketave të Rusisë kanë shkuar në objektivat e tyre në Ukrainë’, tha ai.
Një koment e pati edhe lidhur me deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump, se lufta Rusi-Ukrainë do të përfundonte më ardhjen e tij në pushtet.
‘Trump ka humbur shumë për këtë, sepse tha se mjafton një telefonatë me Putin për të mbyllur luftën Rusi-Ukrainë dhe nuk ndodhi. Trump nuk duhet besuar shumë në ato që thotë’, tha ai.
Komente
