Ndërtesë e shkatërruar pas sulmeve ruse

Bota

Lufta/ Rusia përshkallëzon sulmet në Ukrainë pas dështimit të bisedimeve për paqe

18 Maj, 09:43| Përditesimi: 18 Maj, 10:04

  • Share

Rusia ka intensifikuar sulmet e saj në Ukrainë pas dështimit të bisedimeve për paqe të premten në Stamboll. Në një zonë afër kryeqytetit një grua u vra dhe tre persona u plagosën -përfshirë një fëmijë, thanë autoritetet ukrainase herët të dielën, 

"Fatkeqësisht, si pasojë e sulmit armik në distriktin Obukhiv, një grua vdiq nga plagët e marra", shkroi në aplikacionin e mesazheve Telegram Mykola Kalashnik, guvernator i rajonit të Kievit.

Që prej orës 03:00 (GMT), Kievi, rajoni përreth tij dhe pjesa më e madhe e gjysmës lindore të Ukrainës kishin qenë nën alarm për sulme ajrore për gjashtë orë. Njësitë e mbrojtjes ajrore u angazhuan disa herë duke u përpjekur të sprapsnin sulmet, tha ushtria në Telegram.

Bisedimet e para të drejtpërdrejta në tre vjet midis Rusisë dhe Ukrainës dështuan të ndërmjetësonin armëpushimin që Kievi dhe aleatët e tij kanë kërkuar në luftën më shumë se trevjeçare.

Bisedimet në Stamboll sollën një marrëveshje për të shkëmbyer 1,000 të burgosur lufte nga secila palë.

"Ka qenë një natë e vështirë. Rusët gjithmonë kanë përdorur luftën dhe sulmet për të frikësuar të gjithë në negociata", tha në Telegram Andriy Kovalenko, kreu i Qendrës së Ukrainës për Kundërshtimin e Dezinformimit.

Të shtunën, një sulm me dron rus vrau nëntë civilë pasi goditi një autobus në rajonin Sumy në verilindje të Ukrainës, tha Kievi.

Presidenti Volodymyr Zelenskiy e quajti sulmin "të qëllimshëm" dhe kërkoi sanksione më të forta ndaj Moskës, e cila tha se kishte sulmuar një strukturë ushtarake.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se do të flasë me presidentin rus, Vladimir Putin dhe Zelensky të hënën.

Shkalla e sulmit të sotëm nuk ishte menjëherë e qartë. Sipas disa kanaleve Telegram për monitorimin e luftës, në një moment të caktuar kishte më shumë se 80 dronë në qiellin ukrainas që vinin nga Rusia.

Të gjithë të plagosurit në lagjen Obukhiv, pak në jug të qytetit të Kievit, u shtruan në spital, përfshirë edhe fëmijën katërvjeçar.

"Disa ndërtesa banimi u dëmtuan në zonë", tha ai.

Të dyja palët mohojnë se kanë synuar civilët në luftë, por mijëra janë vrarë në konflikt, shumica dërrmuese e të cilëve janë ukrainas./Reuters

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Samiti europian, besoni se do forcojë rolin ndërkombëtar të Shqipërisë?