Shtëpia e Bardhë

Bota

Lufta/ Shtëpia e Bardhë: Përfundimi i luftës në Gaza, prioritet i Trump! Sulm ndaj dy anijeve tregtare në Detin e Kuq

7 Korrik, 22:32| Përditesimi: 7 Korrik, 22:36

  • Share

Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se një propozim për armëpushim është dorëzuar Hamasit dhe mbështetet nga Izraeli. “Shpresojmë që Hamasi ta pranojë këtë propozim”, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, duke nënvizuar se "përparësia më e madhe" për presidentin Donald Trump në Lindjen e Mesme është përfundimi i luftës në Gaza dhe kthimi i të gjithë pengjeve të mbajtura në enklavën palestineze. “Duam të shohim lirimin e të gjithë pengjeve”, theksoi Leavitt.

Ajo shtoi gjithashtu se administrata Trump vazhdon kontaktet, si të drejtpërdrejta ashtu edhe të tërthorta, me Teheranin për një marrëveshje mbi programin bërthamor iranian.

Ndërkohë, tensionet në Detin e Kuq janë përshkallëzuar ndjeshëm pas sulmeve të njëpasnjëshme ndaj anijeve tregtare, për të cilat janë marrë përgjegjësi nga rebelët Houthi të Jemenit.

Sipas njoftimit të tyre, anija “Magic Seas” është goditur dhe është fundosur pasi “shkelte ndalimin për të hyrë në portet e Palestinës së pushtuar”. Houthit pretendojnë se kishin paralajmëruar ekuipazhin përpara sulmit dhe u kishin dhënë kohë të largoheshin me varkat e shpëtimit.

Vetëm pak orë më vonë, një tjetër incident u raportua në brigjet e Jemenit. Sipas agjencisë Reuters, një anije mallrash me flamur liberian, “Eternity C”, në pronësi greke, u sulmua me dronë detarë dhe mjete të vogla lundruese (skiff) pranë portit të Hodeidah. Si pasojë, dy roje sigurie mbetën të plagosur dhe dy të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Sulmi ndaj "Eternity C" ndodhi më pak se 24 orë pas fundosjes së "Magic Seas", duke konfirmuar përshkallëzimin e situatës së sigurisë në rrugët detare të rajonit. Të dyja anijet ishin me flamur liberian dhe pronësi greke.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    I kishin mbetur edhe 3 muaj burg, si e vlerësoni lirimin e Salianjit?