Deri më tani lufta me tarifa e nisur nga administrata e Donald Trump ndaj Evropës apo Kinës thotë Banka Qendrore ka sjellë vetëm pasiguri, por pa dhënë efekt direkt negativ në ekonomi.
“Këto tensione për momentin kanë prodhuar më shumë zhurmë dhe paqartësi sesa vendime konkrete, megjithatë ekziston rreziku që ky konflikt të kthehet në vendime”, thotë Themeli.
Drejtori i Politikës Monetare sqaron se nëse konflikte të tilla jo vetëm ky me tarifa por edhe ato ushtarake si në Lindjen e Mesme përshkallëzohen vendi do të prekej vetëm pasi goditet Evropa, që është partneri tregtar kryesor i Shqipërisë.
“Ka tre drejtime përmes të cilave ekonomia shqiptare mund të ndikohet. I pari është ndikimi direkt i shkëmbimeve që ne kemi me Amerikën, por siç e kemi thënë ne nuk kemi shumë shkëmbime, eksportet drejt SHBA janë më pak se 1% e eksporteve totale. Kanali i dytë me ndikim potencial dhe negativ në ekonomi e çmime, ka të bëjë me impaktin që do të ketë ekonomia e eurozonës, partnerja jonë kryesore tregtare ndaj barrierave tregtare dhe tarifave.
Analistët që studiojnë situatën kanë vlerësuar se ndikimi i parë do të jetë inflacionist, por në një moment të dytë në varësi të faktit sesa këto barriera do të tkurrin aktivitetin ekonomik në eurozonë në periudhën afatmesme ekonomia e eurozonës pritet të ketë ngadalësim për të mos thënë recension, por edhe inflacion mjaft të ulët. Këto zhvillime mund të përcillen edhe me çmimet në Shqipëri. Kanali i tretë është ai tregjeve financiare. Bankat qendrore do të reagojnë ndaj zhvillimeve në ekonomi dhe çmime që do të thotë që mund të kemi lëvizje të paparashikuara të normave të interesit dhe potencialisht edhe turbulenca në tregjet financiare”, deklaron Themeli.
Themeli shton se tensione të tilla nuk duhen parë vetëm si situata që sjellin kriza por edhe si mundësi.
“Intensifikimi i luftërave tregtare mund të jetë edhe premisë për rritjen e investimeve të huaja në sektorë të caktuar të ekonomisë siç është industria. Sektorë të cilët nuk kanë pasur atë vëmendje për investitorët e huaj.
Pyetje: Një krizë mund të kthehet në një mundësi?!
Erald Themli: Po. Blloqet tregtare dhe ekonomike që perceptojnë vështirësi në shkëmbimet tregtare, flas Evropë-SHBA-Kinë, mund ta rikthejnë vëmendjen në periferinë e tyre ku është Shqipëria dhe të rikthejnë vëmendjen në ekonominë e brendshme që do të ishte në interes edhe të Shqipërisë”, shton ai.
Lajmi kryesor:
INTERVISTA/ Banka e Shqipërisë përjashton një valë rritjeje të çmimeve! Turizmi 'motor' për rritjen ekonomike
S.B/r.k./ReportTv.al