Bota

Lufta tregtare/ Kina i përgjigjet Trumpit: Vendos tarifa doganore 10-15% për qymyrin e gazin amerikan! Hetime dhe kundër Google

4 Shkurt, 08:20| Përditesimi: 4 Shkurt, 16:49

  • Share

PEKIN- Në ditën kur hyjnë në fuqi tarifat doganore të vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump kundër të gjitha mallrave kineze, Pekini kundërpërgjigjet me një paketë masash që synojnë qymyrin dhe gazin natyror të lëngshëm (GNL) me tarifa prej 15%, si dhe një tarifë shtesë prej 10% mbi naftën, pajisjet bujqësore dhe disa lloje makinash.

Njoftimi erdhi në mëngjesin e sotëm, sipas orës shqiptare, nga qeveria kineze. Sipas Ministrisë së Financave të Kinës, masat “janë vendosur për të kundërshtuar” planet e Trumpit dhe do të hyjnë në fuqi nga data 10 shkurt.

Pekini ka paraqitur gjithashtu një ankesë në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) në kuadër të mekanizmit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, duke argumentuar se veprimet e Shteteve të Bashkuara kanë një “natyrë të dëmshme” dhe shkelin të drejtat dhe interesat e ligjshme të Kinës.

Ministria e Tregtisë dhe Administrata e Përgjithshme e Doganave të Kinës kanë njoftuar gjithashtu një shtrëngim të kontrolleve mbi eksportet e disa materialeve të tjera. Masa hyn në fuqi menjëherë, me qëllim “mbrojtjen e sigurisë dhe interesave kombëtare dhe përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare, si ndalimi i proliferimit”.

Kina ka njoftuar gjithashtu një hetim kundër Google për shkelje të mundshme të ligjeve antitrust, vetëm pak minuta pasi tarifat doganore amerikane hynë në fuqi.

Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se Trump do të bisedojë këtë javë me presidentin kinez, Xi Jinping. Ekonomistët kanë paralajmëruar se tarifat e Trumpit rrezikojnë të rrisin çmimet për miliona amerikanë, vetëm disa javë pasi ai kishte premtuar t’i ulte ato. Megjithatë, Trump ka deklaruar para gazetarëve në Zyrën Ovale se tarifat janë një mjet “shumë i fuqishëm” për të forcuar ekonominë amerikane dhe për të arritur qëllimet e tij.

Tensionet me Meksikën dhe Kanadanë
Ditën e djeshme, tregjet financiare u tronditën pas shpalljes së tarifave kundër Meksikës, Kanadasë dhe Kinës. Megjithatë, vendimi i Trumpit për të shtyrë me një muaj hyrjen në fuqi të tarifave mbi mallrat meksikane dhe kanadeze, për të lejuar negociata të mëtejshme, ndihmoi në zbutjen e humbjeve në bursat globale.

Një telefonatë “shumë miqësore” mes Trumpit dhe presidentes meksikane Claudia Sheinbaum çoi në një marrëveshje për të forcuar kufirin me 10,000 ushtarë të Gardës Kombëtare për të ndalur trafikimin e drogës, veçanërisht të fentanilit, drejt SHBA-së. Në këmbim, SHBA-ja u angazhua të ndalojë trafikimin e armëve me fuqi të lartë drejt kartelëve të drogës.

Një marrëveshje e ngjashme u arrit edhe me Kanadanë, pas dy telefonatave mes Trump-it dhe kryeministrit Justin Trudeau. Kanadaja pranoi të forcojë kontrollin kufitar me një investim prej 1.3 miliardë dollarësh kanadezë dhe krijimin e një task force të përbashkët me SHBA-në për të luftuar trafikantët e drogës, të cilët do të klasifikohen si “terroristë”.

Reagimi i Evropës
Në Bruksel, liderët evropianë diskutuan për qasjen e tyre ndaj politikave të tarifave doganore të Trump-it. Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz u shprehën më të ashpër ndaj SHBA-së, duke theksuar se Evropa duhet të mbrohet dhe të përgjigjet me masa të ngjashme.

Nga ana tjetër, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani theksuan rëndësinë e negociatave për të shmangur një përplasje ekonomike. Tajani njoftoi se Italia po përgatit një plan strategjik për të zgjeruar tregjet e saj në vende si Meksika, India, Indonezia, Vietnami dhe Afrika, në rast se tarifat e Trumpit dëmtojnë ekonominë evropiane.

Ndërkohë, analistët argumentojnë se tarifat mund të kenë efekte negative për vetë SHBA-në, duke rritur inflacionin dhe duke ndikuar negativisht në ekonominë globale. /Corriere della Sera/ 

S.G/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Trex: 04/02/2025 08:38

    Po kta nuk do dorezohen aq kollaj por do dorezohen. Nuk ja priste mendja qe Trumpi do zgjidhte Panaman kaq shpejt, dhe jane tmerruar qe po levizen me aneksimin e Taivanit Trump merr Groenlanden dhe Kanadane, miliona km2 tole strategjike dhe bota hyn ne nje kspitull tjeter historik. Kina po luan me zjarrin Amerikan dhe do pervelohet.

    Përgjigju
    • Lexues: 04/02/2025 10:33

      Jane bere gjithe ngelesat ne klase gjeostrategjiste.

    • Lala: 04/02/2025 10:04

      Ne ate krah fli TI daku.250 Mil amerikan kumdra 1miliard e 200 mil kinezeve.

  • Sondazhi i ditës:

    Informaliteti e nëndeklarimi pagave po dëmtojnë pensionet, sa po luftohen?