Volodymyr Zelensky

Bota

Media: Zelensky ka dhënë udhëzime për të nisur përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë këtë verë! Putin shpall rekrutimin më të madh ushtarak të 14 viteve të fundit

31 Mars, 16:17| Përditesimi: 31 Mars, 22:12

  • Share

Zgjedhjet presidenciale po afrohen në Ukrainë. Presidenti Volodymyr Zelensky ka dhënë udhëzime për të nisur përgatitjet për votimin këtë verë, sapo të hyjë në fuqi një armëpushim i plotë, raporton The Economist.

Javën e kaluar, Zelensky kryesoi një takim të dedikuar për këtë çështje, duke lënë të kuptohet, sipas burimeve të cituara nga The Economist, se dëshiron të veprojë shpejt për t’i lënë opozitës më pak kohë për t’u organizuar dhe për të mos rrezikuar prishjen e unitetit kombëtar.

Ndërkohë, dje, Donald Trump kërcënoi me vendosjen e tarifave doganore kundër Rusisë dhe vendeve që blejnë naftë nga Rusia, nëse brenda një muaji nuk do të hyjë në fuqi një armëpushim.

Deri më 5 maj, parlamenti ukrainas Verkhovna Rada do të duhet të votojë nëse do ta zgjasë apo jo ligjin ushtarak, i cili u vendos menjëherë pas fillimit të pushtimit rus.

Zgjedhjet nuk mund të mbahen në Ukrainë për sa kohë që ligji ushtarak është në fuqi. Ligji kërkon gjithashtu një periudhë minimale prej 60 ditësh për fushatën zgjedhore.

Burime të cituara nga revista britanike shpjegojnë se do të duhen të paktën tre muaj për të përditësuar regjistrat zgjedhorë.

Po diskutohet gjithashtu mundësia e përdorimit të aplikacionit qeveritar Diia për të lejuar ushtarët në vijën e frontit dhe personat e zhvendosur të votojnë. 

Nga ana tjetër, presidenti rus, Vladimir Putin, ka shpallur rekrutimin më të madh ushtarak të 14 viteve të fundit. Sipas Moscow Times, kreu i Kremlinit ka firmosur një dekret për thirrjen pranverore në ushtri, e cila do të zhvillohet nga prilli deri në qershor.

Gjatë kësaj periudhe, 160 mijë rekrutë të rinj do të dërgohen në ushtri. "Është fushata më e madhe e rekrutimit e 14 viteve të fundit", raportohet në media.

H.K/K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?