Marco Verratti nuk bën pjesë në planet e Luis Enriques dhe pritet që pas 11 vitesh të lërë PSG-në. Gjithçka vjen në një kohë kur Neymar u largua në Arabinë Saudite, teksa edhe destinacioni i italianit pritet të jetë te vendi ku paratë burojnë nga burimet e naftës.
Sipas Le Parisien, trajneri spanjoll i ka kërkuar largimin Verrattit, kjo edhe në praninë e drejtorit sportiv Luis Campos. Përveç faktit që italiani kërkoi dyfishim page, një tjetër aspekt pse PSG është në "luftë të ftohtë" me të, vjen për arsyen se ai i doli në krah Kylian Mbappe, kur te PSG e kishin shpallur "non grata".
Megjithëse mesfushori ishte pjesë e turit aziatik, media franceze citon trajnerin Enrique t'i ketë thënë futbollistit se "ai nuk bën pjesë në planet e tij dhe se nuk do luajë sa të jetë ai trajner".
Tanimë Al Hilal është në garë për shërbimet e tij, me kontratën e 30-vjeçarit që skadon në verën e 2026.