Ekonomi

Luftë për pagesat në dorë/ Jashtë bankave janë 4.2 mld euro, qeveria paralajmëron masa! Hotele, restorante, taksi e markete me pagesa elektronike

31 Mars, 19:30| Përditesimi: 31 Mars, 20:47

  • Share

Lufta me informalitetin duket gati e pamundur nëse pagesat do të vijojnë të bëhen me lekë në dorë pavarësisht vlerës së tyre.

Në muajin shkurt jashtë bankave qarkulluan 4 miliardë e 231 milionë euro, në rritje prej 353 milionë euro në krahasim me shkurtin e vitit 2024.

Luftën ndaj përdorimit masiv të ‘lekut në dorë’ qeveria ka vendosur ta bëjë me sisteme që nxisin pagesat elektronike por edhe me masa më të ashpra, me kufizim të pagesave në cash.  Në bashkëpunim me ‘Mastercard Europe’ qeveria synon të vërë në zbatim projektin për të pajisur biznese në sektorin e hotelerisë, restorantet, markete apo taksitë me terminale ‘POS’, pajisje që shërben për pagesën me kartë.

Janë 4750 pajisje të tilla që do të shpërndahen në të gjithë vendin, përmes të cilave qytetarët do të mund të bëjnë pagesat me kartë. Ndërsa po ashtu premtimi i qeverisë është që për një vlerë të caktuar transaksionesh të mos paguhet komision, lehtësi që merret për të stimuluar pagesat elektronike.

Ndërkaq Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kanë nisur punën për të kufizuar pagesat me para nën dorë për qytetarët si dhe për të ulur tavanin për bizneset që sot është 150 mijë lekë. Këto masa të parashikuara në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave, shihen si zgjidhje për të ulur qarkullimin e parasë jashtë bankave në vend, dhe do të vihen në zbatim brenda 2026-ës.

Tradita e pagesës me lekë në dorë shton hapësirat për informalitet, e bën më të vështirë luftën ndaj pastrimit të parave duke ndikuar negativisht në ekonomi, pasi qarkullimi i parasë është i pakontrolluar.

PARAJA JASHTË BANKAVE
Shkurt 2024          3,878 mln euro
Shkurt 2025          4,231 mln euro
Rritja                     +353 mln euro

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?