Lufta me flakët është bërë fenomen i përvitshëm në Shqipëri, dhe mesa duket formula për të dalë në një zgjidhje përfundimtare nuk po gjendet. Bilanc nuk ka, por me qindra hektarët pyje e kullota janë djegur nga zjarret që kanë shpërthyer nga veriu në jug dhe sa raportohet për një vatër të shuar, të tjera aktivizohen.
Por teksa beteja për të shmangur zjarret duket e humbur, miliona euro harxhohen nga buxhetet e pushtetit vendor e qendror për mbrojtjen nga zjarret.
Vetëm për këtë vit buxheti i shtetit përmes transfertës së pakushtëzuar ju ka dhënë bashkive 1 miliardë e 546 milionë lekë (15.1 milionë euro) për t’u mbrojtur nga zjarret. Me rritje të lehtë krahasuar me vjet kur në dispozicion njësitë e pushtetit vendor kishin 1.4 miliardë lekë. Pjesën më të madhe të këtij buxheti e merr Bashkia Tiranë (134,539 mijë lekë), Kukës (62,699 mijë lekë), Durrës (58,109 mijë lekë), Kamëz (52,696 mijë lekë), Vlorë (48,566 mijë lekë) dhe Shkodër (46,597 mijë lekë).
Ndërkohë në vlerë rekord të lartë është buxheti i këtij viti për Emergjencat Civile, strukturë e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila përgjigjet për pasojat nga fenomenet natyrore, përmbytjet, zjarret apo tërmetet. Janë 5 miliardë e 382 milionë lekë fundet në dispozicion të emergjencave nga 4.3 miliardë lekë që ishte vlera vjet. Pra në total janë 6.9 miliardë lekë (70 mln euro) të dedikuara për mbrojtjen nga zjarret dhe për emergjencat civile këtë vit.
Përtej këtyre fondeve, vetë bashkitë janë të detyruara me ligj që të ndajnë nga buxheti që i vihet në dispozicion nga qeveria 4% vetëm për fatkeqësitë natyrore dhe mbrojtjen civile. Por mesa duket këto para nuk janë të mjaftueshme për të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit dhe për të shmangur dëmet e mëdha.
Pak javë më parë Banka Botërore në raportin e saj për ndryshimet klimatike sugjeronte që Shqipëria të investojë 6 miliardë dollarë në 10 vitet e ardhshme për mbrojtjen nga ndryshimet klimatike. Në raport thuhej se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë përjetuar zjarre 21% më shumë në dekadën e fundit si rezultat i thatësirës dhe temperaturave ekstreme.
Mjaftonte 1/5 e ketij buchetti qe te blinin dy avione zjarrfikes dhe shpetonte e gjithe Shqiperia dhe bashke me Shqiperine shpetonin dhe ata te shkrete zjarrfikes qe rropaten me kodrave e maleve me T-shirt e me shkurre per te dikur zjarret neper kodra e male
Përgjigju