Orët e para të mëngjesit të sotëm, Ministria e mbrojtjes së Azerbajxhanit njoftoi se luftimet për vënien nën Kontroll të rajonit Nagorno-Karabakh, vazhduan edhe pas bisedimeve të paqes në Uashington. Zyrtarët lokalë akuzuan në anën tjetër forcat e Azerbajxhanit për sulmet me bomba në ndërtesa civile në Stepanakert, qyteti më i madh në rajon.
Ministria e Mbrojtjes në Nagorno- Karabakh njoftoi se numri i viktimave në departamentin e saj ka arritur në 963, ndërkohë që ka pasur 37 viktima në mesin e civilëve. Në kampin azer janë regjistruar 60 viktima në mesin e civilëve dhe 300 të plagosur rëndë.
Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo u takua veçmas me ministrat e jashtëm të Azerbajxhanit dhe Armenisë të Premten në një përpjekje të re për t'i dhënë fund gati një muaj gjakderdhje. Shkelja e dy armëpushimeve të ndërmjetësuara nga Rusia, e kishte zbehur mundësinë e një fundi të shpejtë të luftimeve që shpërthyen në 27 Shtator.
Fuqitë botërore duan të parandalojnë një luftë më të gjerë, e cila mund të tërheqë Turqinë dhe Rusinë në brendësi duke qenë se mbështesin palët kundërshtare. Dallimet në lidhje me konfliktin kanë acaruar më tej marrëdhëniet midis Ankarasë dhe aleatëve të saj të NATO-s, me Pompeon i cili akuzon Turqinë për nxitjen e konfliktit duke armatosur palën Azere.