Izraeli ka vrarë liderin e dytë të grupit Xhihadi Islamik Palestinez, ndërsa numri i viktimave nga sulmet ajrore në Gaza vazhdon të rritet. Lideri Khaled Mansour, mbeti i vrarë nga sulmet ajrore në shtëpinë e tij në Rafah, në jug të Gazas. Mansour u ka mbijetuar më parë pesë tentativa vrasje nga ushtria izraelite, ndërsa e akuzonin për përgatitje të operacioneve ushtarake jashtë Gazas.
Deri më tani janë raportuar 32 palestinezëve të varrë, mes tyre 6 fëmijë dhe disa luftëtarë të PIJ-së - duke përfshirë udhëheqësit Khaled Mansour dhe Tayseer Jabari. Një zyrtar izraelit tha se nga e premtja e deri më tani, janë hedhur rreth 600 raketa dhe mortaja palestineze. Izraeli thotë se nisi operacionet për shkak të "kërcënimit të menjëhershëm" nga PIJ. Ushtria izraelite paralajmëron se ky operacion i fundit, i koduar Breaking Daën, mund të zgjasë për një javë.
Përplasja më serioze mes Izraelit dhe Gazës ka qenë një konflikt në maj 2021 që la më shumë se 200 palestinezë dhe një duzinë izraelitë të vdekur. Të dielën, raketat palestineze të lëshuara nga Rripi i Gazës arritën në Jerusalem për herë të parë që nga konflikti i vitit 2021.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës fajësoi "agresionin izraelit" për vdekjen e palestinezëve dhe për më shumë se 200 persona të plagosur.
Izraeli akuzoi militantët e PIJ-së se shkaktuan disa vdekje, duke pretenduar të shtunën se grupi hodhi një raketë duke vrarë shumë fëmijë në Jabalia, në Rripin e Gazës. Deri tani Hamasi, grupi më i madh militant në zonë - i cili ka ideologji të ngjashme me Xhihadin Islamik dhe shpesh koordinon veprimet e tij me të nuk duket se po gjuan nga arsenali i tij i madh i raketave. Si rezultat, nuk ka raporte për sulme ajrore izraelite që synojnë Hamasin, gjë që do të sillte një përshkallëzim të dhunës.
Jeta në territorin palestinez tashmë është bërë shumë më e vështirë javën e kaluar, pasi Izraeli mbylli vendkalimet me Gazën mes frikës se Xhihadi Islamik do të hakmerrej për arrestimin e një prej liderëve të tij në Bregun Perëndimor verior. Të shtunën, termocentrali i vetëm i Gazës u mbyll sepse nuk kishte marrë asnjë dërgesë karburanti, tha një zëdhënës i kompanisë së energjisë elektrike.
Departamenti Amerikan i Shtetit u bëri thirrje të gjitha palëve që të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm - duke konfirmuar mbështetjen e tij për të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, duke vënë në dukje shqetësimin e SHBA-së për raportet për viktima civile.
Duke shpresuar për të parandaluar dhunën e mëtejshme, Egjipti gjithashtu ka ndërhyrë si ndërmjetës midis dy palëve dhe thuhet se ka dërguar një delegacion zyrtarësh në Izrael të shtunën për të vepruar si ndërmjetës.
Konflikti i fundit pason nga afër arrestimin nga Izraeli të Bassem Saadi, i cili raportohet të jetë kreu i PIJ në Bregun Perëndimor, mbrëmjen e së hënës. Ai u mbajt në zonën e Jeninit si pjesë e një serie të vazhdueshme operacionesh arrestimi pas një vale sulmesh nga arabët dhe palestinezët izraelitë që lanë të vdekur 17 izraelitë dhe dy ukrainas. Dy nga sulmuesit erdhën nga rrethi i Jeninit.
PIJ, e cila është një nga grupet më të forta militante që vepron në Gaza, mbështetet nga Irani dhe ka selinë e saj në kryeqytetin sirian Damask. Ajo ka qenë përgjegjëse për shumë sulme, duke përfshirë raketat dhe të shtënat kundër Izraelit.
Izraeli dhe Xhihadi Islamik Palestinez luftuan një konflikt pesë-ditor në nëntor 2019 pasi luftimet shpërthyen pas vrasjes nga Izraeli të një komandanti të PIJ-së për të cilin Tel Avivi tha se po planifikonte një sulm të afërt. Dhuna la 34 palestinezë të vdekur dhe 111 të plagosur, ndërsa 63 izraelitë kishin nevojë për trajtim mjekësor. Izraeli tha se 25 nga palestinezët e vrarë ishin militantë, përfshirë ata që u goditën duke u përgatitur për të lëshuar raketa./Shqiptarja.com