TIRANË - Ekspertja dhe pedagogia e ekonomisë, Romina Radonshiqi foli në Report Tv lidhur me luhatjet e monedhës së euros në vendin tonë. Banka e Shqipërisë ka blerë miliona euro për t’i tërhequr nga tregu, megjithatë sasia e euros në tregun vendas mbetet shumë e lartë. Ekspertja Radonshiqi sqaron për Nertil Agalliun në ‘Sot Live në Shqipëri’ se një pjesë e madhe e euros që qarkullon në vend është informale dhe nuk mund të kontrollohet nga qeveria.
'Banka e Shqipërisë e di mirë që ka euro informale. Nuk kalojnë në rrugë zyrtare. Edhe ne qytetarët mjafton të kemi euro dhe kryejmë transaksione lirisht. Kjo rrit ofertën sasinë e euros në treg dhe Banka e Shqipërisë nuk e ka si të dhënë. Nëse i referohemi muajit dhjetori ka sjellë sasi të lartë të euros nga remitancat dhe turistët. Një pjesë janë informale. Erdhën për të festuar dhe kanë lënë sasi para për prindërit e tyre që të mos i sjellin me kompani transfertash pasi ka kosto. Sado që Banka e Shqipërisë ka tërhequr eurot duke menduar se do rregullojë tregun, sasia e euros është e pamundur që banka të krijojë zgjidhje për tregun valutor. Do ketë përsëri luhatje.'
Radonshiqi vuri në dukje se prurjet e mëdha të euros gjatë dhjetorit, nga remitancat dhe turistët, kanë ndikuar në ofertën monetare, ndërsa në janar, për shkak të rënies së tyre, euro u rivlerësua lehtë.
'Muaji janar nuk ka patur shumë turistë dhe remitanca. Kjo ka qenë një nga arsyet që e ka rivlerësuar euron. Muaji janar është një muaj i trishtë, pas shpenzohet shumë në dhjetor. Emigrantët nuk kanë sjellë shumë para, kjo ka sjellë rivlerësim të euros. Patëm disa ditë rivlerësim të euros. Vetë ekspertët thanë se do ketë rivlerësim të euros. Pasi në pranverë do kemi sërish një sasi të lartë të euros. Shumë shërbime bëhen në euro minimalisht qeveria nuk ka si kontrollon kursin e këmbimit. Vetë qeveria, të vendosën disa rregulla. Në disa markete nëse nuk ka para të vendit të mos bëhen biznes në euro.'
Ajo shtoi se sektori i ndërtimit dhe investimet e huaja në pasuri të patundshme kanë sjellë një sasi të madhe eurosh në treg, ndërsa pastrimi i parave mbetet një shqetësim për këtë sektor.
'Ndërtimi, përflitet sikur është riskuar dhe nga pastrimi i parave. Qeveria ka nisur fushatë që në ndërtim dhe vetë kontabilistët të ketë kontroll më të hollësishëm. Ndërtimi sjell euro informale. Por ndërtimi është vetë një sektor që një pjesë të madhe të pasurisë së patundshme e blen dhe vetë. Rritja e investimeve të huaja në pasuri të patundshme ka sjellë sasi të lartë të euros.'
Ekspertja sugjeroi që qeveria të vendosë rregulla më të qarta për përdorimin e euros në treg dhe të rrisë kontrollet në sektorët që gjenerojnë monedhë të huaj në mënyrë informale.