Transferimi i Luis Diaz nga Liverpooli te Bayern Munich është gjithnjë e më pranë finalizimit. Sipas raportimeve të “Bild”, anësori kolumbian i sulmit ka arritur një marrëveshje personale me klubin bavarez për një kontratë 4-vjeçare, që do ta mbajë në “Allianz Arena” deri në verën e vitit 2029. Futbollisti do të përfitojë një pagë prej 14 milionë eurosh në sezon.
Diaz, i cili iu bashkua “Të Kuqve” në janar të vitit 2022 nga Porto për 54 milionë euro, i ka komunikuar drejtuesve të klubit dëshirën për të nisur një aventurë të re në Bundesligë. Në Angli bëjnë me dije se ai është i vendosur për të kaluar te Bayern, ndërkohë që negociatat mes klubeve vazhdojnë intensivisht.
Bayern nisi sulmin me një ofertë prej 52 milionë eurosh, e cila u refuzua nga Liverpool. Oferta është përmirësuar në 67.5 milionë euro, ndërsa në tavolinë mund të shkojë edhe mbi 70 milionë euro, për të bindur anglezët që ta lënë të lirë 27-vjeçarin. Liverpool dëshiron të përfitojë një shumë më të lartë, veçanërisht për shkak të interesimit të Barcelonës, që gjithashtu e ka ndjekur nga afër situatën e lojtarit.
Pavarësisht kësaj, drejtuesit e klubit nga “Anfield” nuk do të japin dritën jeshile për largimin e kolumbianit pa siguruar më parë një zëvendësues të denjë për krahun e majtë të sulmit.
Komente
